Kushtoi 8 milionë euro, por shënon një gol për ndeshje; Immobile synon… historinë

1 Nëntor 2019
11:13
Alfred Lleshi
back button

Në pafundësi dhe më gjerë, si një astronaut. Ciro Immobile, si në tregimet e Toy Story, nuk ka ndërmend të ndalojë. Ai vazhdon jo vetëm të shënojë gola, por të thyejë rekorde. Dopieta ndaj Torinos e evidentoi sërish si një goleador i spikatur. 29-vjeçari ka shënuar 99 gola në 146 ndeshje me fanellën bardhekaltër. Një mesatare e “çmendur” prej 0.67 golash për ndeshje, më e lartë se e golashënuesit historik, Beppe Signori. Duke analizuar në detaje, për më tepër, nga viti 2016, vit në të cilin mbërriti në kryeqytet, Ciro ka luajtur 11.829 minuta, mes kompeticioneve të ndryshme, duke shënuar gol në çdo 119 minuta. 

Pothuajse një gol për ndeshje. Me këta numra dhe parametrat aktualë, Immobile vlen vërtet shumë. As Tare dhe Lotito nuk mund ta imagjinonin që investimi prej 8 milionë eurosh, i bërë në korrik 2016, duke ia marrë sulmuesin Sevilla, mund të jepte aq shumë. 99 golat e tij tregojnë  në detaje se Ciro Immobile është lloji i sulmuesit të plotë dhe modern, duke pasur parasysh se shënoi 53 gola me të djathtën, 11 me të majtën, 11 me kokë, 23 nga një goditje dënimi etj. Në renditjen e bomberave historikë, ai është i gjashti, me gjashtë gola larg nga Rocchi (105), nëntë gola nga Giordano (108) dhe njëzet e tre gola nga Chinaglia (122). 

Por, nëse ai vazhdon të shënojë me këtë ritëm, duke pasur 29 vite mbi supe, Signori (127) nuk është i paarritshëm, ndoshta as Piola (159). Ky është, në fakt, edhe qëllimi i tij i vërtetë. Ciro i detyrohet aq shumë vetvetes, por edhe Inzaghi: “Trajneri e ndërtoi ekipin duke u bazuar tek unë. Ne u rritëm së bashku. Ai hyn në kokën e lojtarëve dhe së bashku duam të kualifikohemi në Champions”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit