“Ky është klubi i Salah tani”; Klopp nuk përmbahet pas rinovimit me “Faraonin”

2 Korrik 2022
8:10
Alfred Lleshi
back button

Trajneri i Liverpool-it, Jurgen Klopp ishte i kënaqur që pa Mohamed Salah ta zgjaste qëndrimin e tij në “Anfield”. Ai beson se “Reds” nuk e kanë parë ende më të mirën e sulmuesit. Salah vendosi të firmosë kontratën 3-vjeçare të premten, duke iu dhënë fund spekulimeve për të ardhmen e tij.

Ylli i Egjiptit është është bërë një “hero” në Merseyside me golat e tij. Tifozët e kuq do të mund ta shijojnë atë edhe për disa kohë. Çfarë tha Klopp, pas arritjes së marrëveshjes me “Faraonin”? “Është një kënaqësi e veçantë për mbështetësit tanë që ta shijojnë edhe më shumë fundjavën e tyre.

Jam i sigurt se do të ketë disa festime për këtë lajm sonte, – tha trajneri për faqen zyrtare të Liverpool-it. – Jam i kënaqur, vërtet, shumë i kënaqur. Është vendimi më i mirë për ne dhe për të. Ai do të vazhdojë me ne, ky është klubi i tij tani.

Sigurisht që rinovimi ka marrë pak kohë, por kjo është absolutisht në rregull dhe gjërat më të mira ia vlen gjithmonë të priten. Mohamed është një nga lojtarët më të mirë në botë; normale që ka gjëra për t’i shoshitur kur je në nivelin e tij. Merita e madhe shkon për Julian Ward dhe Mike Gordon që na udhëzuan drejt këtij destinacioni.

Nuk kam dyshim se vitet më të mira të Mohamed do të vijnë. Dhe kjo thotë diçka, sepse pesë sezonet e para këtu kanë qenë prej legjende. Për sa i përket fitnesit, Salah është një makinë, në formën më të pabesueshme. Ai punon shumë dhe merr shpërblimet që meriton. Aftësia dhe niveli i tij i aftësive rriten çdo sezon, edhe vendimmarrja ka shkuar gjithashtu në një nivel tjetër.

Mohamed adhurohet nga shokët e tij të skuadrës. Si trajnerë ne e dimë se punojmë me dikë të veçantë. Dhe tifozët e kanë kurorëzuar mbret”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit