Kylian Mbappé, pesë gola në një ndeshje për të festuar statusin e tij të ri te PSG

25 Janar 2023
8:07
Alfred Lleshi
back button

Mbappé ka gjithnjë e më shumë peshë te PSG. Christophe Galtier njoftoi se francezi tani do të jetë kapiteni i dytë, vetëm pas Marquinhos. Ndikimi i tij në dhomën e zhveshjes pariziene është i dukshëm. Mes shumë premtimeve të tjera, Al Khelaifi i ka garantuar edhe këtë status gjatë rinovimit të kontratës në maj të vitit të kaluar. Pra, edhe ky vendim shkon në atë drejtim. Verratti mbetet kapiteni i tretë i kampionit francez.

PSG-ja fitoi thellë dje në Kupën e Francës, pas një “ekspozite” mbresëlënëse të Mbappé. I pangopur para portës kundërshtare, ylli francez shënoi plot pesë herë. Ai është vetëm katër gola larg arritjes së rekordit të të gjitha kohërave të Edinson Cavanit, që do të thotë se është një hap i vogël larg të bërit sulmuesi më i mirë që PSG ka pasur ndonjëherë. Është çështje kohe për një futbollist të mësuar të thyejë barrierat.

Të qenit zv.kapiten shpërblen paraqitjen e tij të shkëlqyer në klub, pikërisht në një kohë kur rezultatet e fundit në Ligue 1 kanë shkaktuar një “tërmet” të vogël. Ndeshja e Ligës së Kampionëve kundër Bayernit është afër dhe dyshimet duhet të shuhen sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse PSG nuk dëshiron të bëjë të njëjtat gabime që e dënoi sezonin e kaluar kundër Real Madridit. Mbappé, si shokët e tij të skuadrës, e ka marrë mësimin e duhur.

Mbrëmë, me “manitën” e tij kundër Pays de Cassel, Mbappé u bë golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës së Francës, i barabartë me Jean-Pierre Papin, të dy me nga 29 gola. Një shifër që mund të tejkalohet në ndeshjen e radhës, në të cilën PSG do të përballet në shtëpi me Marseille. Një ndeshje në të cilën priren të fluturojnë shkëndijat, duke pasur parasysh rivalitetin e madh që ekziston mes dy klubeve prej dekadash.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit