La Finlandën për Shqipërinë, sulmuesi shqiptar tregon të vërtetën

24 Shtator 2020
15:16
Eraldo Harlicaj
back button

Sulmuesi i momentit, Albion Ademi, është bërë pjesë e rubrikës së zyrës së shtypit të FSHF-së, “Talenti shqptar”. Ai ka treguar arsyen që vendosi të braktiste ekipin e Finlandës për t’iu bashkuar ekipit tonë kombëtar. Ademi u thirr dhe nga trajneri Edi Reja ditën e sotme.   

– Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll?

– Që kur isha i vogël, kam pasur një dëshirë të madhe të luaja futboll dhe as vetë nuk e kam besuar se do të arrija të bëhesha një ditë pjesë e futbollit profesionist. Mendoja se gjithnjë do të mbetej një dëshirë. Unë them se gjithkush që ka një top në shtëpi kur është i vogël dhe luan me të, ka si ëndërr që të jetë pjesë e fushave të lojës. Por duhet talent dhe shumë punë.

– Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?

– Gjyshi im ka qenë një nga personat e parë që ka besuar tek unë. Më ka ndihmuar dhe më thonte gjithmonë se futbolli nuk është një sport i lehtë, dhe nëse do e dua, nuk do lodhem asnjëherë. Dhe atëherë më dukej e çuditshme, por është e vërtetë. Sot, teksa stërvitem apo zhvilloj ndeshje, më shumë ndjej kënaqësi sesa lodhje.

– Si është marrëdhënia juaj me grupin dhe trajnerin në Kombëtare? Po te IFK Mariehamn si ndihesh? Po kaloni një formë të mirë me klubin

– Po, është e vërtetë që po kaloj një formë shumë të mirë aktualisht. Në fakt, kam punuar shumë në stërvitje dhe jam fokusuar maksimalisht në çdo seancë stërvitore dhe në çdo ndeshje. Sigurisht, edhe jashtë fushës kam qenë shumë strikt me regjimin dhe përpiqem që të pushoj e të rekuperoj forcat për të qenë në formë sa më të mirë. Kemi një grup mjaft të mirë në klub dhe kemi harmoni mes njëri-tjetrit.

Ndërsa, sa i përket Kombëtares mund të them se me trajnerin kemi një marrëdhënie fantastike. Arrin të na kuptojë dhe dëgjojë shumë mirë të gjithëve. Më vjen keq që nuk isha pjesë e ekipit të shpresave gjatë dy ndeshjeve kundër Austrisë dhe Andorrës, por jam i lumtur që ekipi mori 6 pikë të plota.

– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga kombëtarja dhe debutimi me ngjyrat kuqezi?

– Është emocion i veçantë dhe moment i bukur. Të këndosh himnin e kombëtares krah çunave dhe përpara mijëra tifozëve është diçka që nuk do e largoj dot lehtë nga kujtesa ime. Është nder dhe krenari të luash për vendin e shqiponjave.

– I rishikon ndeshjet e tua pasi luan? Dhe nëse po, çfarë i thua vetes?

– I rishikoj, edhe me grupin edhe vetëm dhe gjithmonë mendoj se si të arrij të luaj më mirë dhe të gjej rrugën e rrjetës për të shënuar. Dua të shënoj shumë gola përgjatë karrierës time.

– Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani?

– Normale që thirrja nga trajneri për t’u bërë pjesë e ekipit kombëtar A ka qenë një nga momentet më të bukura siç thashë edhe më sipër, por edhe ndeshja finale për kupën e Finlandës ka qenë një nga momentet më të bukura për mua deri tani.

– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?

– Shkolla. Kam hequr dorë nga ajo dhe jam fokusuar tërësisht te futbolli pasi e kam kuptuar veten se mund të bëj mirë dhe deri tani po bëj mirë. (Besoj)

– Çfarë synimi ke për të ardhmen?

– Synimi im është që sa më shpejt ta shikoj veten time në ndonjë nga ligat më të mira të Europës. Gjithashtu, pres të grumbullohem edhe nga kombëtarja A.

– Cila është këshilla më e vyer që ke marrë dhe nga kush?

– Familja ime, duke qenë edhe mbështetësit e mi më të mëdhenj më thonë gjithnjë se nuk duhet të dorëzohem, por të luaj gjithnjë me të njëjtën dëshirë dhe të kem të njëjtin vullnet si ditën e parë kur kam zbritur në fushë.

– Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale?

– Edhe idhulli im në kombëtare, si idhulli i thuajse çdo shqiptari është Lorik Cana.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit