La Liga nuk pret, i kërkon UEFA-s dhe Serie A “t’i bëjnë gropën” Juves: E pranoi, na ka mashtruar të gjithëve…

29 Nëntor 2022
14:24
Alfred Lleshi
back button

Mbrëmjen e së hënës së 28 nëntorit, i gjithë Bordi Drejtues i Juventusit dha dorëheqjen. Lajm tronditës për të gjithë botën e futbollit italian, por ky lajm bëri me shpejtësi xhiron e Europës. E ndërsa tifozët bardhezinj po pyesin se kush do ta zëvendësojë Agnellin si president i skuadrës, një njoftim shumë i rëndë për shtyp vjen nga La Liga (Spanja), ku i kërkohet Serie A dhe UEFA-s të ndëshkojnë Juventusin që ka pranuar se ka shkelur rregullat.

Ky është teksti i letrës së gjatë të publikuar në llogarinë zyrtare të La Liga-s spanjolle: “Pas dorëheqjes së bordit drejtues të Juventusit mbrëmjen e vonë të së hënës së 28 nëntorit, La Liga kërkon zbatimin e menjëhershëm të sanksioneve sportive. Në prill 2022, UEFA paraqiti një ankesë zyrtare kundër Juventusit, në të cilën pretendonte shkelje të rregullores së ‘Fair Play Financiar’, të cilën ‘Guardia di Finanza’ italiane po e hetonte.

Konkretisht, ankesa akuzoi Juventusin për llogaritjen e transfertave mbi vlerën e tyre të drejtë dhe nënvlerësimin e shpenzimeve të personelit, gjë që përbën shkelje të ‘Fair Play Financiar’ të UEFA-s. Për më tepër, ankesa akuzoi Juventusin për fshehjen e pagës së vërtetë të lojtarëve.

Këtë të hënë, në të njëjtin shënim të Bordit Drejtues, përfaqësuesit e Juventusit pranojnë parregullsi shumë të rënda të kontabilitetit financiar, me qëllim që ndër të tjera të mashtrojnë edhe autoritetet kompetente të ‘Fair Play Financiar’ të UEFA-s. La Liga, me synimin për të promovuar një futboll ekonomikisht të qëndrueshëm në Evropë, i mban këto ankesa ndaj Juventusit dhe kërkon që autoritetet kompetente të zbatojnë sanksione të menjëhershme sportive ndaj klubit bardhezi.

La Liga ka qenë prej kohësh një përkrahëse kryesore e vendosjes dhe zbatimit të rregullave strikte të qëndrueshmërisë financiare në futboll. Në prill të këtij viti, La Liga ngriti një ankesë kundër Juventusit për shkelje të ‘Fair Play Financiar’, por edhe ndaj Manchester City e Paris Saint Germain.

Vetë kompeticioni spanjoll ka gati një dekadë që zbaton rregullat e saj të kontrollit ekonomik me kërkesë të klubeve që e përbëjnë atë. Qëndrueshmëria financiare është thelbësore për të mbrojtur biznesin e futbollit. Le të mbrojmë futbollin tonë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit