La Liga punëson një firmë ligjore franceze, nis beteja kundër PSG

25 Maj 2022
18:59
Denis Hakanaj
back button

Rinovimi i Kylian Mbappe me Paris Saint-Germain ka zemëruar presidentin e La Liga-s, Javier Tebas, i cili ka ndërmend të denoncojë klubin francez për shkeljen e rregullave të Fair Play-t Financiar.

Mbappe dukej se do të kalonte me kosto zero te Real Madrid këtë verë, por ka ndryshuar mendim në momentin e fundit dhe ka nënshkruar kontratën më të pasur në historinë e futbollit.

“Ne po punojmë me një firmë franceze për të ndërmarrë veprime ligjore në Francë dhe në Bashkimin Europian”, ka zbuluar Tebas këtë të mërkurë. “Gjithashtu, do ta raportojmë çështjen tek UEFA para së premtes.

“Është e pamundur për PSG-në që të respektojë rregullat aktuale të Fair Play-t Financiar duke parë shumat që do të paguajnë për Mbappe.

“Është e qartë se do ta kalojnë limitin. Kështu, le të shohim se çfarë do të ndodhë, por është e pamundur tashmë të ndalet rinovimi i Mbappe”.

Tebas ka sulmuar përsëri PSG dhe Manchester City për ‘metodat’ e tyre. “Kemi luftuar prej vitesh kundër klubeve shtet”, ka thënë Tebas.

“E kemi denoncuar më parë Manchester City dhe Paris Saint-Germain tre apo katër sezone më parë dhe ata janë sanksionuar nga UEFA, por këto sanksione janë hequr nga një vendim i çuditshëm i CAS (Gjykata e Arbitrazhit Sportiv). Shpresoj që CAS të mos ndërhyjë këtë herë. Jam shumë kritik ndaj tyre”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit