Laçi e shkarkoi, tani e gjen në finalen e Kupës. Josa eviton fjalën hakmarrje

30 Maj 2022
12:32
Alfred Lleshi
back button

“Arena Kombëtare” do të presë nesër në mbrëmje finalen e Kupës së Shqipërisë. Një “derbi” verior mes Laçit dhe Vllaznisë, dy skuadra që synojnë trofeun e dytë kombëtar për nga rëndësia. Sidomos skuadra shkodrane e ka jetike fitoren e nesërme, sepse vetëm kështu siguron Kupat e Europës. Kurbinasit e kanë arritur këtë gjë përmes kampionatit, si nënkampionë, por dihet oreksi i tyre, sidomos kur arrin në finale të tilla.

Interesant është fakti se kuqeblutë i drejton Mirel Josa, deri para pak javësh në stolin e bardhezinjve. Pra, një moment hakmarrjeje për trajnerin kryeqytetas, i cili u shkarkua nga Laçi. Në konferencën e sotme për shtyp, Josa nuk do ta konsideronte kështu përballjen e nesërme:

“Nuk është një sfidë e shumëpritur, por detyrim që kemi ne ndaj klubit. E konsideroj si detyrim, edhe pse kam qenë pjesë e skuadrës kundërshtare, ndaj të cilës do të luajmë nesër. Situatat në futboll kështu janë. Siç na duhet ne kjo fitore, i duhet dhe Laçit.

Për klubin, lojtarët dhe stafin teknik është një trofe më tepër. Për mua nuk ka interes si trofe individual, por të arrihen objektivat që ka klubi, që për momentin jemi jashtë. Kemi punuar për këtë ndeshje, nuk kemi mbajtur rezerva për këtë sfidë finale të Kupës. Tani kemi të bëjmë me ndeshjen e fundit të sezonit. Është shumë e rëndësishme si për individët, ashtu edhe për grupin, duke filluar që nga drejtuesit, financuesit, lojtarët dhe më pas ne si staf. Jo vetëm Laçin, por të gjitha skuadrat e tjera duhet t’i vlerësojmë.

Unë nuk dua të analizoj se çfarë gabimesh ka bërë Vllaznia, më intereson që idetë e mia t’iu bashkangjiten atyre të lojtarëve dhe të kemi rezultate. Nuk mund ta përcaktoj një sezon të dobët të Vllaznisë, pavarësisht rezultateve. Në momentet e caktuara duhet të ketë qenë më e vëmendshme, sepse po të kishte pasur 2-3 pikë më shumë, atëherë nuk do të flisnim për këtë gjë.

Unë jam i fokusuar te Vllaznia dhe marr përgjegjësi për këto momente. Futbollistët duhet të kenë presion vetëm që të futen në fushë për ta fituar ndeshjen. Në futboll janë tri rezultate në lojë. Finalja ka vetëm dy rezultate; ose e fiton, ose e humb.

E njoh mirë tifozërinë e Shkodrës, e njoh mirë dashurinë që kanë për futbollin. Nuk ka nevojë për thirrjet e mia që tifozëria të vijë në Tiranë. E njoh interesimin e tyre për skuadrën edhe në periudha të tjera që unë kam punuar këtu”.

Nga ana e tij, kapitni Erdenis Gurishta tha para gazetarëve: “Është e vërtetë që stadiumi “Arena Kombëtare” ka qenë fatsjellës për ne, por finalja e vitit të kaluar ishte një ndeshje tjetër dhe kjo një tjetër. Vitin e kaluar e kishim siguruar Europën nga kampionati, normalisht ishim më të qetë, tani është një situatë tjetër.

Fitimi i kësaj finale na mundëson hyrjen në Europë ose dështimin. Skuadra është gati, pavarësisht si shkuan gjërat në kampionat. Do të japim maksimumin në ndeshjen e nesërme dhe me ndihmën e Zotit shpresoj që kupa të vijë përsëri në Shkodër për vitin e dytë radhazi.

Ajo e kampionatit ishte një ndeshje shumë e mirë e jona, sepse t’i shënosh 5 gola Laçit në fushën e tij nuk është e thjeshtë. Ishte një ditë e mirë e jona, por finalja është finale, shanset janë 50-50, duhet të jemi të përqendruar, episodet mund ta vendosin fatin e takimit.

Lamtumira e Krymit? Më vjen mirë për Arditin, është një djalë fantastik, një lojtar i mrekullueshëm. Më vjen mirë që ka siguruar një kontratë jashtë Shqipërisë, por vëmendja jonë është te ndeshja e nesërme, shpresoj ta fitojë Kupën dhe ai të largohet me një trofe”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit