Laçi-Partizani në Kupë, flet Olsi Rama: Doja derbi me Dinamon në çerekfinale

24 Shkurt 2021
15:37
Alfred Lleshi

Pas hedhjes së shortit të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë, drejtori i Partizanit, Olsi Rama, foli për mediat. Ai analizoi verdiktin e goglave, që e vunë përballë Laçit, në fushën e këtij të fundit, më 17 mars: “Kupa është një kompeticion që për ta fituar duhet të kalosh kundërshtarët më të vështirë. Pra, në qoftë se Laçi na binte në çerekfinale, gjysmëfinale apo finale nuk ka rëndësi. Objektivi ynë është që të fitojmë ndaj çdokujt.

Ndeshje teke janë bërë edhe në Champions, vjet. Në këtë situatë që jemi, ndeshjet teke janë më mirë, që të mos ngarkohen lojtarët shumë, sepse kalendari është i ngjeshur. Do të shkojmë në Laç për t’u kualifikuar. Ne e luajmë çdo ndeshje për ta fituar. Duam kampionatin dhe Kupën. Nuk është çështje snobizmi. Të gjitha ekipet në këtë kalendar vendosin objektivat e tyre. Dje po më pyesnin cilin do në short dhe kërkova derbi.

Më thanë se Tirana është eliminuar, por u përgjigja se doja derbi me Dinamon. E kishim edhe afër, tani duhet të marrim autobusin e të shkojmë në Laç, megjithëse afër është. Ka akoma edhe shumë javë deri në ndeshjen me kurbinasit. Ndeshja e së shtunës ndaj Laçit është mjaft e rëndësishme në kampionat, sepse na duhen pikët ndaj një rivali formë.

Laçi na ka mundur 3-1 në fushën e tij, çka tregon gjithë rëndësinë që ka një kundërshtar i tillë për ne. Kanë marrë 5 fitore radhazi, kurbinasit janë ekipi më në formë i kampionatit. Luajnë mirë dhe kanë lojtarë cilësorë. Sidoqoftë, unë shoh Partizanin. Edhe ne jemi ekip në formë, thjesht duhet vetëm të vazhdojmë në vazhdën e lojërave që kemi bërë së fundi”.

Kupa e Shqipërisë / Çiftet çerekfinaliste👇
LAÇI – PARTIZANI
VLLAZNIA – KORABI
TEUTA – KUKËSI
DINAMO – SKËNDERBEU

Lajme të tjera

Lajmet e fundit