Laçi shkëlqen, Prenga: “Çudi që luajtëm aq mirë. Dy lojtarë do kapin kombëtaren”

12 Janar 2019
16:00

Trajneri i Laçit, Besnik Prenga, nuk i ka kushtuar ndonjë rëndësi të veçantë fitores kundër Tiranës në miqësoren e luajtur sot në Kamzë, ndërsa ka komentuar me mosbesim lojën e mirë të ekipit të tij.

Arsyeja sipas Prengës është se në këtë moment skuadra nuk mund të jetë aq mirë në aspektin e lojës, për shkak të ngarkesës stërvitore, dhe kjo gjë e shqetëson disi.

Prenga flet edhe për merkaton, duke e pranuar se i duhet sulmues, por ka fjalë të mira për të rinjtë që ka në dispozicion.

Fitorja ndaj Tiranës: "Nuk jam i kënaqur me ndeshjen, ndoshta luajtëm më mirë se sa duhej në një moment kur duhen edhe 15 ditë nga rifillimi i kampionatit, ndaj nuk e di a jemi në rrugën e duhur, sepse luajtëm shumë mirë dhe nuk e di sa mirë kemi punuar, si ka mundësi që luajmë kaq mirë duke ditur ngarkesën fizike. Do doja që këtë paraqitje ta bëjnë kur të nisë kampionati, jo tani".

"Janë ndeshje që të gënjejnë, është thjesht miqësore dhe nuk më vlen shumë rezultati. E dominuam lojën, ishim më të qartë, kontrolluam gjithçka. Nuk e di, është shumë herët për të folur".

Merkatoja: "Që në fillim e kemi thënë që piketojmë lojtarë të rinj e të talentuar. I kemi sytë nga merkatoja, por nuk është e thënë që të bëjmë patjetër afrime, sepse e kemi grupin për të zëvëndësuar lojtarët që nuk i gjejmë dot".

Sulmues: "Jo një, na duhen dy sulmues, që të tërheqin ekipin, por kemi lojtarë të talentuar. Berisha e Xhixha meritojnë minutat e veta. Duam të shkojmë në kupat e Europës, por dua që të rinjtë të marrin minuta, edhe pse duam lojtarë cilësorë".

Debutimi i talentit Çokaj: "Është një nga afrimet e mia, ashtu si Mersinaj. Nuk kam dyshime tek ata, ndryshe nuk i afroja. Janë lojtarë cilësorë, jam i sigurt që do bëhen pjesë e kombëtares në të ardhmen, jo thjesht te Shpresat ku janë aktualisht. Do i shohim gjatë në futboll".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit