Laçi, vetëm 6 minuta larg suksesit historik, flet Cungu: Tragjike, por nuk është fundi i botës

18 Shtator 2020
9:27
Alfred Lleshi
back button

Humbje dramatike, që do të dhembë gjatë. Deri në minutën e 90-të, Laçi po fitionte 1-0 ndaj Hapeol Ber Sheva, duke qenë në turin tjetër të Ligës së Europës. Ky do të ishte një sukses historik për kurbinasit, përveç të ardhurave të majme që do të merrnin nga UEFA. Megjithatë, kartoni i kuq i Markut dhe 6 minutat shtesë e kanë dërguar skuadrën e Armando Cungut nga “parajsa” në “ferr”. Një mëkat i madh, sepse bardhezinjtë luajtën vërtet mirë, sidomos në pjesën e dytë. Trajneri shkodran, mes keqardhjes së madhe, u mundua t’i karikojë të tijtë se nuk është fundi i botës dhe tani duhet menduar për sezonin e ri:

“Deri në minutën e 90-të ishim në avantazh, pavarësisht se me një lojtar më pak. Ndoshta duhet të ishim pak më të kujdesshëm në disa momente. Nuk mund të parashikosh asgjë, por duhej të ishim më të vëmendshëm. Bëmë dy ndërrime të detyruara. Marku dhe Shehi shfaqën shqetësime. U munduam që të bënim të pamundurën për t’i rikuperuar. Na u prishën ekuilibrat dhe alternativat nuk i kishim. Kundërshtari luftonte nga krahët dhe kërkonte të shfrytëzonte me krosimet.

Nuk mund të fajësoj asnjë lojtar. Do t’i komplimentoj djemtë për lojën që kanë zhvilluar. Është e vështirë të luash në inferioritet numerik. Kishim problemet tona, ritmi ishte i ulët në pjesën e parë. E vlerësuam më shumë kundërshtarin në pjesën e parë. Në pjesën e dytë besuam më tepër, krijuam situata, erdhi dhe goli. Inferioriteti numerik na dëmtoi dukshëm. Jo gjithmonë ia del me 10 lojtarë.

Mërzia është kudo, futbolli i tillë është. Nuk është fundi i botës. Dëshira ishte për të kaluar edhe një tur, për të mirë të klubit dhe djemve, për të thyer një rekord. Ishim shumë afër, ndaj fundi i ndeshjes mund të konsiderohet tragjik. Duhet të mundohemi të qetësohemi, kampionati është në prag, të përgatitemi për një sezon të vështirë. Klubi ka afruar lojtarë, nuk është stepur për të bërë merkato, por nuk është e lehtë të gjesh të duhurit. Shpresoj që mund të bëjmë ndonjë goditje tjetër”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit