Laçi zbraz nervat, Teuta nuk “paraqitet” fare

6 Prill 2019
17:36
back button

Laçi ka "masakruar" Teutën 5-0, në sfidën e luajtur pasditen e sotme në Laç, aty ku vetëm pak ditë më parë laçianët mundën Tiranën 2-0, por u eliminuan në mënyrë të hidhur nga kupa, mes penalltive të padhëna për kurbinasit dhe sherrit mes presidentëve të dy klubeve pas ndeshjes.

Sot ka qenë një stërvitore për Laçin, që ka bërë gjithçka në mënyrë perfekte, duke mahnitur me nivelin e lojës dhe mbi të gjitha dhe saktësinë para porte.

Në 90 minuta, Starova gjeti 3 pikë, golin e parë të sulmuesit Okpotu, dy gola nga Xhixha (i dyti fantastik) dhe qetësinë në renditje, sepse tashmë vendi i katërt duket gjithnjë e më i sigurt dhe sytë janë nga vendi i tretë, i Teutës.

Durrsakët kurrë këtë sezon nuk ishin paraqitur kaq dobët, duke vuajtur në çdo drejtim dhe duke pësuar gola me një lehtësi irrituese.

Duket se kualifikimi për në kupat e Europës, thuajse i sigurt, si dhe goditja morale me eliminimin nga kupa, kanë ulur përqendrimin e Teutës, me trajnerin Shkëmbi që tashmë duhet të gjejë mënyrën për të ringjallur një ekip që deri para pak muajsh mendonte edhe për kreun.

SUPERIORE, JAVA 7

LAÇI-TEUTA        5-0

Shënues: Okpotu 25′, Xhixha 32′, 78′ Lushkja 65′, Domgjoni 68′

Laçi: Selmani, Shtubina, Toro, Gjoni, Mersinaj, Eller, Lushkja, Çokaj, Okpotu (Domgjoni 61′), Xhixha (Deliu 80′), Mane (Jonuzi 69′). Trajner: Sulejman Starova

Teuta: Hidi, Beqaj, Bicaj, Arapi, Hakaj, Gashi, Avdyli, Kallaku, Vecaj (Vila 61′), Vajushi, Bushiç (Kamara 43′). Trajner: Bledi Shkëmbi

Kartonë të verdhë: Okpotu 24′, Shtubina 39′, Xhixha 76′ / Hakaj 15′

Gjyqtarë: Ardian Beqiri, Rejdi Avdo, Ergin Doda, Orlando Kuka

Lajme të tjera

Lajmet e fundit