Lamtumirë rekord, Medvedev mposht Djokovic në finalen e US Open

13 Shtator 2021
8:19
Telesport
back button

Tenisti rus Daniil Medvedev, numri 2 në botë për meshkuj, fitoi grand slam të US Open, pas fitores 3-0 (6-4, 6-4, 6-4) në finale ndaj serbit Novak Djokovic. Ky i fundit, numri 1 në botë, synonte të shkruante historinë e tenisit, duke i fituar të 4 grand slam brenda një viti, por dështoi në hapin e fundit.

Djokovic ka fituar këtë vit Australian Open, Roland Garros e Wimbledon, por zhgënjeu në ndeshjen më të rëndësishme të karrierës së tij. Për pasojë, ai mbetet në kuotën e 20 grand slam të fituara në karrierë, po aq sa edhe Rafael Nadal e Roger Federer.

Një ndeshje e vendosur nga shërbimet e forta të Medvedev, që vuri në vështirësi serbin, që gjithshtu bëri mjaft gabime, sidomos afër rrjetës. Në mesin e setit të dytë, Djokovic nisi të bëhej edhe nervoz, duke humbur qartësinë në lojën e tij. Lotët në sytë e serbit pas ndeshjes tregojnë qartë zhgënjimin e tij.

Lot edhe në sytë e Medvedev, që korri triumfin e parë në karrierë (në ditën e përvjetorit të martesës) në një grand slam. Falë këtij triumfi ai kërcënon kreun e Djokovic. Kjo humbje në finale ishte një grusht i rëndë për serbin, që tashmë rinis gjithçka nga e para.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit