Laporta pyetet sërish për kthimin e Messit: Ma kërkojnë edhe fëmijët në rrugë, por…

16 Nëntor 2022
8:10
Alfred Lleshi
back button

Joan Laporta ndodhet në Kolumbi në një udhëtim të motivuar nga një marrëveshje midis Fondacionit Barça dhe UNHCR. Nga vendi i Amerikës së Jugut, ai dha një intervistë për Rac1, në të cilën foli për çështje të ndryshme aktuale për klubin që drejton dhe rikthimin hipotetik të Messit.

“Ma kërkuan këtë edhe këtu në Kolumbi, shumë njerëz në rrugë. Edhe fëmijët më kërkojnë gjithmonë që Messi të kthehet.Unë gjithmonë iu them se Messi është flamuri dhe historia e Barçës, se është lojtari më i mirë në botë. Kemi qenë me fat që e kemi pasur te Barça.

Të ardhmes nuk i dihet, ne do të shohim se çfarë do të ndodhë. Është diçka shumë e komplikuar. Pastaj ai është lojtar i PSG-së dhe unë nuk dua probleme me këtë klub”, – tha presidenti i Barçës.

Një shpjegim edhe për Superligën: “Ka një bonus prej 1 miliard eurosh që klubet themeluese duhet ta shpërndajnë vitin e parë. Nëse do të fitonim kompeticionin do të kishim rreth 350 milionë më shumë.

Kjo shifër është shumë më e lartë se ajo që merret për të fituar Ligën e Kampionëve. Është një kompeticion me potencial të jashtëzakonshëm. Zgjidhja e Gjykatës Evropiane do të vijë në mars, shpresoj që ata të pajtohen me ne”.

Cila është situata me rinovimin e Dembélé? “Nuk jemi të zënë me këtë çështje, Ousmane është i lumtur. Tani jemi në situatë negativë për shkak të ‘fair play financiar’, duhet të kompensojmë. Në bazë të dialogut duhet të gjejmë një zgjidhje”.

Në një kohë kur shumë kërkojnë rikthimin e tij te Barcelona, ylli argjentinas foli mbrëmë për tërheqjen e tij nga futbolli: “Unë e dua futbollin, më pëlqen ta luaj këtë sport magjik. E vetmja gjë që kam bërë gjatë gjithë jetës sime është të luaj futboll. Jam i sigurt që do të mbetem i lidhur me futbollin edhe më vonë, megjithëse nuk e di ende se në çfarë pozicioni. Nuk besoj se do të luaj edhe shumë gjatë”, – ka komentuar për Lavezzi, pa u thelluar në kohën aktive të cilës i referohet.

I pyetur nga ish-sulmuesi i Napolit për fundin e ëndrrave të karrierës së tij me fanellën e Newell’s, klubi i djalërisë së tij në Rosario, ai preferoi të mos emociononte askënd: “Nuk e di, ndodhin kaq shumë gjëra… Ishte një ëndërr, por sot varet nga shumë gjëra. Unë kam familjen time, tre fëmijët, kanë ndodhur ndryshime shumë të mëdha. Duhet marrë edhe mendimi i tyre”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit