Lara Colturi e 17-ta në garën ku Mikaela Shiffrin shkruan historinë e Kupës së Botës

24 Janar 2023
14:51
Telesport
back button

Skiatorja amerikane Mikaela Shiffrin ka shkruar sot historinë e këtij sporti. Falë triumfit arritur në garën e sllallomit gjigand, zhvilluar në pistën italiane të Kronplatz, ajo bëhet skiatorja femër me më shumë fitore në garat e Kupës së Botës. Për bukuroshen 27-vjeçare amerikane, ky është triumfi nr.83 në garat e Kupës së Botës, duke kaluar një tjetër ikonë si patrioten e saj Lindsey Vonn (82 fitore).

Thyerja e këtij rekordi ishte çështje kohe për Shiffrin, që këtë sezon ka qenë e papërmbajtshme, duke kryesuar renditjen e Kupës së Botës. Ajo zhvilloi një tjetër garë të jashtëzakonshme sot në pistën italiane, ku arriti të shkruajë me të arta emrin e saj. Ndërkohë që, shumë pranë është edhe rekordi absolut i 86 fitoreve në Kupën e Botës, që mbahet nga suedezi Ingemar Stenmark.

Në këtë garë mori pjesë edhe skiatorja shqiptare Lara Colturi, që bëri një paraqitje të shkëlqyer, duke u renditur në vendin e 17-të. Pas dy zbritjeve, Colturi dha kohën 2’04”00, ndërkohë që Shiffrin fitoi me kohën 2’00”61. Për skiatoren shqiptare një garë shumë e mirë, pasi grumbulloi 14 pikë të tjera në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës, ku është debutuese edhe pse vetëm 16 vjeçare.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit