Lara Colturi grumbullon pikët e para sezonale, paraqitje e mirë në dy gara në Finlandë

12 Nëntor 2023
15:42
Telesport
back button

Në pistën e Levi, në Finlandë, u zhvilluan këtë fundjavë dy garat e radhës së Kupës së Botës për femra në ski, ato të sllallomit. Në pistë zbriti edhe skiatorja shqiptare Lara Colturi (lindur në Itali por me nënshtetësi shqiptare), në sezonin e saj të dytë në garat e Kupës së Botës.

Skiatorja 16-vjeçare bëri një paraqitje të mirë, duke hyrë në zonën e pikëve në të dyja garat, duke grumbulluar kështu pikët e para sezonale. Ditën e shtunë, në garën e parë të sllallomit, ajo u klasifikua në vendin e 22-të mes 83 skiatoreve.

Pas zbritjes së parë, Colturi dha kohën 56”63, duke hyrë mes 30 skiatoreve më të mira. Në zbritjen e dytë, skiatorja kuqezi dha kohën 58”31. Në total, Colturi u klasifikua e 22-ta, me kohën 1’54”94, duke grumbulluar 9 pikë.

Në garën e dytë të sllallomit zhvilluar sot, skiatorja shqiptare u rendit në vendin e 25-të, duke grumbulluar 6 pikë. Pas zbritjes së parë, ajo dha kohën 58”49, duke hyrë sërish mes 30 skiatoreve më të mira. Në zbritjen e dytë, Colturi dha kohën 56″12 dhe koha e përgjithshme e saj ishte 1’54”61.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit