Largime e afrime në Gjirokastër, ikën edhe një titullar

22 Janar 2019
22:29
back button

"Prish shtëpi e bëj kasolle", kështu duket ajo që po ndodh te Luftëtari, ku këtë janar janë shitur dy yjet e ekipit, Shkurta e Rroca, por janë larguar edhe lojtarë të tjerë të rëndësishëm në pjesën e parë të sezonit.

Lejdi Liçaj iku i pari, më pas e imituan të tjerë, me serbin Milosavljev që iku në Rusi ditët e fundit dhe serbin Nemanja Janicic që ka ikur sot.

32-vjeçari luajti 14 herë nga minuta e parë në Superiore këtë sezon dhe ishte një ndër lojtarët me më shumë eksperiencë te skuadra gjirokastrite, por duket se edhe ai është prekur nga vala e spastrimit.

Praktikisht, tashmë në mbrojtje mbeten nga pjesa e parë e sezonit vetëm Jackson, Rustem Hoxha, Donald Rapo, Oltion Rapa e Aurel Demo, me këtë të fundit që ka luajtur vetëm 6 herë titullar. Në këtë mënyrë, mbrojtja duket pa alternativa, nëse nuk vijnë përforcime, apo nëse nuk besohet tek të rinjtë, duke nisur nga shkodrani Armenis Kukaj.

PËRFORCIM MAQEDONAS – Luftëtari ka larguar shumë nga të huajt që ka në organikë, ndoshta edhe për të ulur shpenzimet, por ndërkohë ka firmosur me një mesfushor maqedonas, Riste Iljovski, raporton Supersport.

24-vjeçari largohet për herë të parë nga kampionati maqedonas dhe vitin e shkuar luajti për Pelisterin, klub që ra nga kategoria në fund të sezonit të shkuar. Në dy sezonet e shkuar Iljovski ka luajtur rreth 1300 minuta për sezon, çka tregon se është një lojtar që mund të ketë vlera për Luftëtarin, ndoshta edhe si mbrojtës, pasi i tillë është prezantuar.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit