Largimi i talenteve nga Vllaznia, Suad Lici sqaron gjithçka

9 Tetor 2019
16:17
back button

Qyteti i Shkodrës njihet ndryshe edhe si djepi i futbollit, pasi nga ky qytet dhe nga klubi i Vllaznisë kanë dalë shumë lojtarë, të cilët kanë bërë histori në futbollin tonë.

Jo më kot, Vllaznia ka dhe një nga akademitë më të mira në vend dhe nxjerr talente vit pas viti. Gjithsesi, ajo që ka bërë përshtypje kohët e fundit është se talentet më të spikatur të kohëve të fundit, janë larguar nga Vllaznia, duke kaluar në ekipe të tjera.

Ndër më të përfolurit është Eridon Qardaku, i cili po bën mjaft mirë me Bylisin. Në lidhje me largimin e Qardakut, por edhe talenteve të tjera si Shima apo Hoxha, ka folur administratori Suad Lici. Në emisionin “Pressing” në “Abc News”, shkodrani ka sqaruar gjithçka mbi çështjen “Qardaku”, por jo vetëm.

QARDAKU – “Qardaku është i formuar te Shkodra dhe ka disa vite formim edhe te Vllaznia. Nëse ju më thoni të marr një futbollist të padisiplinuar unë nuk e marr. Është një vendim i Vllaznisë. Qardaku ka ikur pa leje në provë në Kroaci. Në ndeshjen finale mori karton të kuq dhe la ekipin me dhjetë lojtarë. Unë preferoj një lojtar që ka vlera më pak dhe është i disiplinuar. Nuk merrem me edukim. Ka shkuar te Bylisi dhe zgjodhi rrugën e tij. I uroj suksese. Nuk ishte çështje ekonomike.”

SHIMA – “Kishte firmosur kontratë në vitin 2018, kur ishte edhe 18 vjeç. Vllaznia nuk e kishte në borderot e pagesave, pavarësisht se ai luante në ekipin e të rinjve. Në muajin qershor Vllaznia kishte 0 lek dhe ai bëri një kërkesë, ku kërkonte likuidimin prej 2 milionë lekësh. Shima ka dalë në stërvitje me Agim Canajn. Shima është larguar sepse arka e Vllaznisë në atë kohë ka qenë 0 lek.”

HOXHA – “Tjetër rast është Hoxha, të cilit i kam ofruar kontratë, jo me vlerën e Shimës, dhe më thanë familjarët e tij: ‘Djali im nuk vlen kaq lek’. I thashë që e kanë derën e hapur, për çdokënd është e hapur. Më kërkoi dhe minuta dhe i thashë që administratori nuk ia garanton askujt. Gjërat fitohen dhe djersiten. Ka ikur koha te Vllaznia që t’i shërbej këtyre djemve 2-3 vjet, këta të bëhen futbollista dhe më pas ata t’i thonë Vllaznisë mirupafshim.”

 “Kam ardhur për t’i shërbyer Shkodrës dhe sportit. Nuk kam ardhur t’i shërbej interesave personale të askujt. Këtë gjë e bëj publike. Njerëzit në Shkodër e dinë shumë mirë se sa kontribut kam për këto 15 muaj në Shkodër. Ajo që është më kryesorja është që dua të lë te Vllaznia një gur, të ketë rregull, disiplinë dhe meritokraci. Është shumë e rëndësishme, të ketë meritokraci.”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit