Largimi i Telushit, Rama: Nuk ishte pjesë e planeve, nuk pranonte pankinën!

13 Gusht 2020
19:26
Eraldo Harlicaj

Drejtori sportiv i Partizanit, Olsi Rama, foli në lidhje me merkaton e skuadrës këtë verë. Ai tregoi dhe arsyen e vërtetë se pse u largua nga ekipi mesfushori Bruno Telushi. Vlonjati nuk bënte më pjesë në planet e klubit.

Largimi i Telushit – “Pata një bisedë shumë të çiltër dhe të hapur me atë. I uroj sukses dhe përfitoj nga rasti ta falënderoj për çfarë ka bërë te Partizani, sidomos gjatë vitit që dolëm kampion. E kam admiruar gjithmonë për shpirtin e garës, është një person që e ka këtë pjesë të karakterit. Unë gjithmonë kam ngulur këmbë dhe kam thënë se ndeshja nuk fitohet ditën kur luhet, por gjatë gjithë javës.

“Telushi nuk parashikohej të kishte një rol qendror projektin e ri. Për respektin që kam për të, bëra një bisedë shumë të hapur dhe vendosëm që rrugët të ndaheshin. Ai nuk e shikonte veten në rolin e një personi që vinte nga pankina”.

Merkato –  “Një qendërmbrojtës dhe një mesfushor cilësor janë detyrat kryesore të merkatos këtë vit, por edhe dy mbrojtës krahu, të cilët duhet të vijnë në ekip, të integrohen dhe të japin kontributin e tyre”.

Titulli – “E përsëris, titulli kampion është kurorëzimi i një sezoni ku ekipi duhet të tregojë paraqitje dinjitoze dhe lojë. Nëse ne e fillojmë sezonin duke kërkuar titullin, gabojmë pasi e shtrijmë këmbën më shumë sesa kemi hapin. Objektivi kemi rritjen e nivelit të ekipit dhe gjetjen e një fizionomie të Partizanit, me një lojë të menduar dhe studiuar që t’u përshtatet sa më mirë lojtarëve që do të marrim”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit