Largohet pa asnjë gol nga Durrësi, Vllaznia kthen sulmuesin në shtëpi

14 Janar 2019
12:48
Alfred Lleshi
back button

Arsid Kruja zyrtarizon rikthimin në shtëpi. Pas gjysmës së parë të këtij sezoni në Superiore, me skuadrën e Teutës, sulmuesi shkodran ka vendosur t’iu japë një dorë kuqebluve, për të arritur objektivin: rikthimin e tyre në elitë. Pra, nuk ka hezituar aspak për të qenë pjesë e Kategorisë së Parë në gjysmën e dytë të sezonit, me skuadrën e vendlindjes. 

Ai i ka thënë “jo” një oferte të marrë nga Kastrioti, duke dëgjuar thirrjen e zemrës, por edhe të administratorit Suad Lici. Ky i fundit ka nënshkruar me Krujën kontratën 18-mujore, duke bërë që në stërvitje me Vllazninë të shtohet edhe një sulmues nga paraditja e sotme. Tashmë, trajneri Hasan Lika mund të bazohet edhe te golat (e munguar në Durrës) e Krujës, një sulmues i dalë nga shkolla e futbollit shkodran dhe që premton të japë më të mirën për ngjyrat kuqeblu. 

Në sezonin e kaluar me “djemtë e detit”, 25-vjeçari luajti 16 ndeshje (723 minuta) në kampionat, por nuk e gjeti dot rrugën e rrjetës, ndërsa në sezonin aktual regjistroi 8 ndeshje (415 minuta), sërish pa gol. Pra, nga Teuta largohet “thatë”, me shpresën se do ta prishë “agjërimin” te Vllaznia. Aty do të gjejë një rival me potencial në sulm, brazilianin Junior, që deri më tani ka realizuar 6 gola në 14 ndeshje. Do të luajnë të dy bashkë, apo do të gjendet zgjidhje tjetër? Këtë do ta vendosë trajneri Hasan Lika. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit