Lautaro, Rakitic dhe titulli në tavolinë…, Setien vendos pikat mbi “I”

23 Maj 2020
13:10
Alfred Lleshi
back button

Klubi katalanas synon të blejë yllin e Interit, Lautaro Martinez, për të cilin është gati të përfshijë në negociata shumë lojtarë të vetët aktualë, duke synuar edhe një marrëveshje shkëmbimi. Kjo do ta ulte çmimin e argjentinasit.

Setien nuk u zgjat mbi ofertën për Martinez, megjithëse tha se 22-vjeçari do të përshtatej mirë në sistemin e ekipit të tij: “Ne të gjithë e dimë se janë ndoshta 4 ose 5 sulmues të aftë në qarkullim, që mund ta bëjnë atë rol (ku luan aktualisht Luis Suarez). Lautaro është njëri prej tyre”.

Një nga lojtarët, që raportohet për largim nga klubi është Ivan Rakitic, i cili e ka parë kohën e tij të aktivizimit të zvogëlohet këtë sezon. Setien, megjithatë, ka thënë se beson te kroati, se ai ka ende një rol për të luajtur në “Camp Nou”: “Ivan është në planet e mia. Nuk e di se sa kohë loje ka pasur këtë sezon, por di që do ta llogaris atë”.

La Liga është ndalur që nga muaji mars për shkak të pandemisë koronavirus, por është duke synuar të rifillojë në mes të qershorit, pasi ekipet të kthehen në stërvitje individuale. Barcelona aktualisht posedon një epërsi prej dy pikësh ndaj rivalëve të Real Madridit, në krye të klasifikimit, ndërsa Setien ka shprehur dëshirën që La Liga të përfundojë më mirë në fushë sesa në tavolinë, para kohe: “Unë vlerësoj se do ta përfundojmë sezonin. Gjithçka mund të ndodhë në javët e fundit të garave. Pavarësisht se jemi në krye të tabelës së renditjes aktualisht, sigurisht do preferoja që sezoni të përfundonte në fushë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit