Lautaro shuan çdo thashethem merkatoje, “vulos” të ardhmen e tij

3 Korrik 2022
15:03
Alfred Lleshi
back button

Përballë çdo lloj dyshimi, e ardhmja e Lautaro Martínez vazhdon të jetë gjithnjë e më e qartë. E nëse menaxheri dhe shokët e tij nuk kanë qenë mjaft të saktë në deklaratat e tyre, duke siguruar vazhdimësinë e argjentinasit brenda radhëve të Interit, tashmë është vetë sulmuesi argjentinas që “vulos” gjithçka.

Me një postim në Instagram, “Toro” përcakton gjithçka për sezonin e ardhshëm. E ardhmja e tij do të vazhdojë në Serie A, duke veshur ngjyrat zikaltër. Sulmuesi i Albiceleste, i cili ka qenë një nga emrat më të lakmuar në merkato, e ka të qartë se ku do të jetë në sezonin 2022-2023.

Pavarësisht se përfaqësuesi i tij siguroi se do të vazhdonte në Milano dhe Marotta deklaroi se Lautaro ishte pjesë e rëndësishme për objektivat e Interit, Tottenham nuk pushoi në përpjekjen për të fituar shërbimet e sulmuesit. Me Antonio Conten në pankinë, gjithçka mund të ndodhë nëse një ofertë e majme do të vinte nga Londra.

Por, nëse ka pasur ndonjë dyshim të vogël për këtë, ka qenë vetë Lautaro në një publikim që ka “vulosur” fatin e vet në sezonin që do të nisë pas një muaji. Interi, në postimin e fundit në Instagram ka shkruar: “POV (Point Of View): mos harroni se sezoni i ri fillon për pak më shumë se një muaj”. Në këtë status, Lautaro është përgjigjur përmes rrjetit social: “Nuk mungon shumë. Edhe një vit bashkë!”

Në këtë mënyrë, “faqja” e ish-lojtarit të Racing mund të mbyllet në këtë merkato evropiane. Ai do të vazhdojë të luajë në Itali dhe do të takohet edhe me ish-bashkëlojtarin Romelu Lukaku, i cili vjen në formë huazimi nga Chelsea.

Mes argjentinasit dhe belgut, nga viti 2019 deri më 2021 u luajtën 192 ndeshje së bashku, duke shënuar 104 gola dhe shpërndarë 29 asiste mes tyre. Një nga dyshet më të mira sulmuese në botë është rikthyer.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit