Në margjinat e ceremonisë për ndarjen e “Topit të Artë” në Paris, kapiteni i Interit, Lautaro Martinez foli për “Icon Magazine”. Kjo e fundit e ka botuar të enjten intervistën e argjentinasit.
Që nga zbarkimi juaj në Itali, në vitin 2018, sa mendoni se keni ndryshuar si futbollist dhe si person?
Jam pjekur si burrë dhe si futbollist në të njëjtën kohë. Arrita në Itali si djalë 20-vjeçar, por në këto 6 vite u bëra baba dhe bashkëshort. Kjo periudhë më lejoi të rritesha edhe si futbollist, duke u bërë krenarisht kapiten i Interit.
Cilin gol e mbani më afër zemrës nga shumë të tillë që keni shënuar?
Do të zgjidhja dy: atë në finalen e fundit të Kupës së Amerikës dhe në derbin kundër Milanit, në gjysmëfinalen e Champions League, sezonin e kaluar.
Çfarë raporti keni me modën? Si do ta përcaktonit pamjen personale dhe a keni ndonjë markë apo stilist të preferuar, produktet e të cilit ju pëlqen t’i vishni?
Duke jetuar në Milano prej 6 vitesh tashmë, nuk mund të mos jem i apasionuar pas modës. Mendoj se kam stilin tim, do ta përkufizoja si të rastësishëm, por më pëlqen ta ndryshoj herë pas here. Gjithmonë kërkoj ide të reja duke ecur nëpër qytet.
Futbolli zë një pjesë të madhe të jetës suaj, por çfarë ju pëlqen të bëni në kohën e lirë?
Kohën e paktë të lirë që kam, e kaloj duke shijuar familjen time. Me gruan time Agustina ndaj pasionin për verën e mirë, gjë që na çoi në sipërmarrjen për të prodhuar verën tonë në Argjentinë. Kur të gjithë janë në gjumë, shfletoj në internet për të rejat më të fundit. Informohem për automobilizmin dhe pasionet e mia të tjera.
Tashmë keni fituar dy tituj kampioni me Interin, disa Superkupa dhe Kupa të Italisë, dy Kupa të Amerikës, Botërorin me Argjentinën… Çfarë synimesh dhe ëndrrash keni ende për të arritur?
Unë them gjithmonë se kabineti i trofeve nuk është kurrë shumë i mbushur sa duhet. Është gjithmonë kënaqësi të gjesh hapësirë për trofe të rinj. Është e vërtetë që tashmë kam pasur fatin të fitoj shumë me kombëtaren dhe me klubin tim, por gjithmonë synoj të fitoj trofeun e radhës. Megjithatë, ëndrra e madhe në sirtar mbetet fitimi i Champions League me shiritin e kapitenit të Interit.