Lazio-Marseille, dueli përmes analizës së një ish-i. Lorik Cana lartëson edhe Taren

18 Tetor 2021
13:50
Alfred Lleshi
back button

Lazio mposhti Interin mes polemikave. Tani, bardhekaltrit e Sarrit kanë nisur të mendojnë për sfidën e Ligës së Europës, të cilën do ta luajnë të enjten kundër gjigantëve francezë të Olimpique Marseille. Duke qenë se ka luajtur me të dyja këto skuadra, media italiane ka kërkuar një prognozë të ndeshjes në fjalë nga Lorik Cana.

Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare nënvizoi për “Radiosei”: “Nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, ashtu siç nuk është grupi kualifikues i Lazios. Isha në Marseille javën e kaluar për një ndeshje bamirësie. Mbeta i kënaqur që pashë 30.000 njerëz në stadium për një ndeshje të tillë, të zhvilluar gjatë javës.

Është një qytet i nxehtë që jeton me futbollin. Unë jam rritur me atë ekip, kam qenë tifoz i Mariseille qysh 7 vjeç. Marsejezët kanë një trajner si Sampaoli, me të cilin po ecin mirë. Ata lënë shumë hapësira mbrapa, ​​por kanë edhe shumë cilësi në sulm.

Marseille jep pak pika referimi për kundërshtarët, mund të dëmtojë këdo me kundërsulm. Lazio, nga ana tjetër, është shumë më e ekuilibruar me Sarrin. Unë e respektoj shumë atë si trajner, nuk e njihja para se të mbërrija në Itali”.

Disa fjalë edhe për drejtorin sportiv të Lazios, bashkatdhetarin e tij Igli Tare:  “Me të flas çdo javë, që diskutojmë për futbollin. Për mua, Igli është më i përgatituri në rolin e tij si drejtor sportiv. Ai ka qenë ndër 3 drejtorët sportivë më të mirë gjatë dhjetë viteve të fundit. Të gjithë njerëzit mund të bëjnë mirë dhe gabime në momente të caktuara. Igli ka bërë disa gjëra fantastike me Lazion”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit