Lazio mbyll me festë sezonin, Tare e Lotito “bllokojnë” Inzaghin

16 Maj 2019
10:22
back button

Simone Inzaghi ia ka dalë mbanë sërish, duke i dhënë një tjetër trofe Lazios, sepse të mërkurën në mbrëmje erdhi suksesi në finalen e Kupës, 2-0 ndaj Atalantës. Pas ndeshjes Inzaghi ngriti në qiell lojtarët e tij, por refuzoi të përgjigjej për të ardhmen e tiji në stolin bardhekaltër, duke ngritur jo pak dyshime.

Megjithatë, ashtu si presidenti Claudio Lotito, edhe drejtori sportiv Igli Tare ka "blinduar" trajnerin, duke përjashtuar kategorikisht largimin: "Simone Inzaghi do qëndrojë te Lazio, pa asnjë diskutim".

Një sukses i madh edhe për Taren, i cili te Lazio ka bërë një punë të jashtëzakonshme, por ish-legjenda e sulmit të Shqipërisë nuk pranon të flitet për revolucion në të ardhmen: "Për rinovimin me Inzaghin do flasim ditët e ardhshme, puna e tij është në sytë e të gjithëve. Inzaghi është lacial në zemër, presidenti dëshiron ta mbajë gjatë. E kemi thënë edhe disa javë më parë, ai e ka merituar konfirmimin për atë që ka bërë në fushë, meriton komplimente së bashku me stafin".

Edhe presidenti Lotito ka qenë në të njëjtën linjë: "Trofe i merituar, që konfirmon se kjo skuadër ka potencial për rezultate të mëdha. Që kur jam unë president, Lazio ka fituar shumë, duke qenë vetëm Juves, Milanit e Interit. Investime? I kam bërë gjithnjë, pastaj nuk është mëkat të shpenzosh me tru, pa i hedhur paratë poshtë. E ardhmja e Inzaghit? Legjenda metropolitane, nuk ka qenë kurrë në dyshim. Është si një fëmijë i adoptuar për mua, ka qenë gjithë karrierën e vet me ne".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit