Leclerc më i shpejti në pistën e shtëpisë, siguron “pole position” në Montekarlo

28 Maj 2022
17:08
Telesport
back button

Charles Leclerc me Ferrari siguroi sot pasdite “pole position” në pistën e Montekarlo, duke dhënë kohën 1’11”376. Në garën e shtëpisë, piloti monogask dha kohën më të shpejtë, duke mos zhgënjyer në pistën qytetase më spektakolare në botë.

Në vendin e dytë u klasifikua shoku i tij i skuadrës, spanjolli Carlos Sainz. Pra, një vijë e parë tërësisht Ferrari, me dy makinat “kokëkuqe”, që kanë dominuar në këtë pistë përgjatë gjithë fundjavës deri më tani, duke qenë favorite edhe për garën e së dielës.

Ashtu si vjet, provat zyrtare u mbyllën me një aksident në sekondat e fundit (30 sekonda para se të përfundonte koha e rregullt). Këtë herë ishte meksikani Sergio Perrez (i treti) që pati një kontakt me barrierat mbrojtëse para se të hynte në tunel. Ai bllokoi rrugën dhe pas tij u përplas Sainz që po vinte me shpejtësi.

Në vendin e katërt u rendit Max Verstappen me Red Bull, duke lënë pas Norris (McLaren) e Russell (Mercedes). Edhe në këto prova, Lewis Hamilton (Mercedes) u paraqit më dobët se shoku i tij i skuadrës, duke u renditur i teti. Në “top-10” edhe Alonso (i shtati), Vettel dhe Ocon.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit