Legjenda e Interit: Lukaku bëri që të harrohej shpejt Icardi

1 Qershor 2020
13:31
Alfred Lleshi
back button

Interi ka mbetur i lumtur që mbylli shitjen e Mauro Icardi te PSG. Mungesa e ish-kapitenit nuk ndihet më te zikaltrit, gjë që e konfirmon edhe një nga legjendat e klubit, Giuseppe Bergomi: “Romelu Lukaku ka bërë një punë fantastike për ta zëvendësuar argjentinasin”. PSG ka konfirmuar marrëveshjen për blerjen e sulmuesit amerikano-jugor, i cili fillimisht u huazua për një sezon në “Parce des Princes”. Kampionët e Ligue 1 do të paguajnë një total prej 50 milionë eurosh, plus 8 milionë të tjera në formë bonusesh.

Shpejt u bë e qartë se Icardi nuk kishte më asnjë rol për të luajtur në planet afatgjata të Interit, pavarësisht se më parë ishte kapiten i tij dhe shënoi 124 gola. Me 27-vjeçarin jashtë planeve të Antonio Conte, zikaltrit gjetën një burim alternativ inspirimi në sulm. Lukaku u ble nga Manchester United në të njëjtën merkato, kur Icardi mori rrugën drejt Francës. Belgu ka dëshmuar të jetë një përforcim i zgjuar, teksa e ka gjetur shënjestrën në 23 raste me klubin e ri italian.

Legjenda zikaltër, Bergomi, beson se është marrë vendimi i duhur, kur është fjala për Icardi. “Interi e kishte marrë vendimin e tij për Icardi që vitin e kaluar, – tha për “Sky Sport Italia” fituesi i Kupës së Botës 1982. – Duke marrë parasysh si evoluoi situata, unë mendoj se PSG përfaqëson zgjedhjen më të mirë për të gjitha palët. Icardi është bashkuar me një klub, që nuk e ka prestigjin e Interit, por ka fituar titullin e Ligue 1 dhe teknikisht mund të fitojë ende Ligën e Kampionëve. Ndërkohë, Romelu Lukaku ka bërë një punë fantastike për ta zëvendësuar ish-kapitenin, kështu që të gjithë janë të lumtur”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit