Legjenda e kuqe karikon Partizanin: Derbi nuk luhet, por fitohet!

9 Dhjetor 2019
8:51
Alfred Lleshi
back button

Partizani e mbylli me humbje javën e 14-të të Superiores. Kampionët ranë në Ballsh, duke i dhënë mundësinë Kukësit që të jetë vetëm një hap larg tyre tashmë, në klasifikim. Një paraqitje dhe rezultat zhgënjyes i “demave” në prag të derbit të madh të kryeqytetit. Është koha për reagim e reflektim, ndryshe mbrojtja e kurorës duket tejet e vështirë. Një nga ikonat e të kuqve, ish-sulmuesi i tyre, Edmond Dosti, e ka nisur javën me një “kushtrim” për të besuarit e Franco Lerdës: 

“Të premten luajmë një ndeshje deçizive për ecurinë e kampionatit kundër Tiranës. Është një kundërshtar i përjetshëm, që ka shumë probleme për momentin, por nuk duhet nënvlerësuar. Mendoj se jemi në kushtet që mund t’i mposhtim bardheblutë. Nëse jemi të përqendruar dhe të bindur për sukses, atëherë do t’ia dalim. Unë mendoj se djemtë janë gati për ta përballuar ndeshjen e derbit dhe besoj shumë te fitorja. 

Ne (ish-pjestarë të klubit dhe tifozat) po mundohemi t’i transmetojmë skuadrës besim dhe ta rritim nga ana mentale e psikologjike. Ka shumë rëndësi që në fushë të zbresim me bindjen se mund ta mposhtim kundërshtarin, sepse ne jemi kampionët, ne jemi një familje e madhe me emrin Partizani. Suksese dhe me një fitore! Derbi nuk është një ndeshje për t’u luajtur, por për t’u fituar. Ne jemi kampionët!”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit