Legjenda e Liverpool: Salah mund t’i dëshirojë, por Reali dhe Barça s’e kanë atë në llogari…”

18 Janar 2021
13:08
Alfred Lleshi
back button

“Mohamed Salah mund të dëshirojë Barcelonën ose Real Madridin në CV e tij”. E thotë këtë Jamie Carragher, legjendë e Liverpool, i vetëdijshëm se kërcënimi i ofertave prej 100 milionë £ (136 milion dollarë) nga Spanja qëndron mbi supet e yllit egjiptian në “Anfield”. Vetë Salah e ka lënë derën hapur për gjigantët e La Liga-s në të ardhmen. Ai nuk po përjashton asgjë kur bëhet fjalë për hapin e ardhshëm në karrierë, me mundësinë që mund të joshet larg Premier League me një ofertë të madhe parash.

Atij i ka mbetur pak për të arritur në Angli, me kurorën e Ligës së Kampionëve, Botërorit të Klubeve dhe titullit të Premier League, të fituara me Liverpool. 28-vjeçari, gjithashtu ka fituar :Këpucën e Artë” dhe “Lojtari i Vitit i PFA”, duke shënuar 111 gola në 178 paraqitje. Standardet e tij të larta kanë filluar të rrëshqasin disi, së bashku me pjesën tjetër të sulmit të frikshëm të Liverpool, por mbetet një mundësi për gjigantët në të gjithë Europën.

Carragher ka thënë për “Mirror”: “Mo Salah është padyshim një nga ata lojtarë që do ta shikonte karrierën e tij duke kaluar përmes Barcelonës ose Real Madridit. I do këto emra klubesh në CV-në e tij. Disa lojtarë e shikojnë karrierën e tyre kështu. Unë mendoj se Eden Hazard gjithmonë dëshironte të shkonte te Real Madridi në një faze të karrierës. Pra, nuk do të çuditesha nëse disa vite më parë, kur Mo Salah po e hartonte karrierën e tij, do të donte ta kishte bërë këtë kapërcim. Gjithsesi, mendoj se situata tani, financiarisht, por edhe nisur ntga mosha e tij, nuk është e favorshme. Kjo do të thotë që klubet nuk kanë kaq shumë para për të.

Ju po flisni për më shumë se 100 milionë £… Unë mendoj se Real Madridi dhe Barcelona do të shikonin Mbappe ose Haaland, ndoshta edhe Mane, përpara Salah. Kjo, për shkak të moshës së tij. Këto dy klube nuk janë aq mirë me paratë tani, ndërsa kontrata e tij do ende kohë për të skaduar te Liverpool. Kështu që unë nuk kam frikë, si tifoz i Liverpool, se Salah do të largohet së shpejti. Mohamed nuk ka qenë në formë të shkëlqyer së fundi, por kjo mund të thuhet për të gjithë ekipin. Pastaj, ju e shikoni atë, është ende shënuesi më i mirë në Premier League”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit