Legjenda e Manchester United: Solskjaer gaboi, akoma sot pyes veten për atë vendim

5 Korrik 2020
13:19
Alfred Lleshi
back button

Manchester United duhej të kishte shtyrë më shumë për të nënshkruar me Erling Haaland në janar, sipas Paul Scholes. Sipas lgjendës së “Djajve të Kuq”, ylli norvegjez, që u transferua te Dortmundi, do të ishte goditje e vërtetë. Haaland u bë një nga sulmuesit më të kërkuar në futbollin europian, pasi shpërtheu me gola te Red Bull Salzburg, në pjesën e parë të sezonit. 19-vjeçari shënoi 28 gola në 22 ndeshje, në të gjitha garat, për skuadrën austriake, duke përfshirë 8 gola në Ligën e Kampionëve.

Klubi nga “Old Trafford” raportohet se kishte bërë një ofertë dimri për shërbimet e tij. Real Madrid, PSG dhe Liverpool ishin gjithashtu të lidhur me Haaland, por u mendua se “Djajtë e Kuq” ishin një destinacion më i mundshëm, duke pasur parasysh marrëdhënien e tij të mëparshme me Ole Gunnar Solskjaer. I riu ka punuar nën drejtimin e Solskjaer te Molde, më herët, në karrierën e tij. Prandaj, besohej se bashkatdhetarët ishin të joshur të bashkoheshin përsëri te Manchester United.

Sidoqoftë, Dortmund e fitoi garën, pasi pagoi klauzolën e lirimit prej 22.5 milion €, e fiksuar në kontratën me Salzburgun. Scholes mendon se Manchester United humbi një mundësi të madhe për të nënshkruar me “një golashënues të jashtëzakonshëm”. I pyetur nëse klubi i tij i vjetër duhej të kishte ngulmuar për Haaland, legjenda e Manchester United i tha “BBC 5 Live”: “Po, duhej bërë gjithcka për të. Unë nuk dija shumë prej tij më parë, por Solskjaer e ka njohur mirë, sepse e ka stërvitur te Molde. Edhe sot pyes veten pse Manchester United nuk e pagoi klauzolën e lojtarit, e cila nuk ishte asgjë për një sulmues të atij kalibri.

Haaland ka bërë shumë mirë deri tani, është akoma i ri dhe mund të përmirësohet. Ai shënon rregullisht, është i shpejtë, ka një ritëm bomberi të vërtetë. Ka një fizik të admirueshëm për qendërsulmues, imponohet në fushë dhe shënon pa fund gola. Manchester United e humbi mundësinë ta merrte jo për shumë para. Ai mund të jetë ende i disponueshëm, kush e di, në një kohë tjetër, por tashmë duhet paguar shumë për të. Një sulmues si ai do të ishte goditje e vërtetë në merkato”.

Haaland ka shënuar 16 gola në 18 ndeshjet e tij të para për Dortmundin, i cili e përfundoi i dyti në Bundesligë (2019-2020), pas Bayern Munich, dhe është i kontraktuar të mbetet atje deri në vitin 2024. Megjithatë, vitin tjetër aktivizohet klauzola në kontratë, prej 75 milionë eurosh.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit