Legjenda e Realit “shenjtëron” trajnerin Zidane, kërkon t’i jepet kohë sulmuesit serb

14 Tetor 2019
9:38
Alfred Lleshi
back button

Ish-mbrojtësi i Real Madridit, Michel Salgado, insistoi se Luka Jovic është një sulmues i shkëlqyer, por i duhet kohë për t’u përshtatur te gjigantët e La Liga-s. Serbi është ende në kërkim të golit të tij të parë për të bardhët, që nga mbërritja aty për 60 milionë euro, gjatë verës. 21-vjeçari shënoi 27 gola në sezonin 2018-2019 për Eintracht Frankfurt, por ende nuk e ka hapur llogarinë e tij në Madrid.

Salgado, i cili fitoi katër tituj të La Liga-s dhe dy trofe të Champions-it në “Santiago Bernabeu”, beson se Joviç mund të shkëlqejë, nëse i jepet koha e duhur: “Ai është një lojtar i ri. Nëse Real Madridi nënshkroi me të, kjo ndodhi për shkak të diçkaje. Ai ka qenë një lojtar i shkëlqyer tek Eintracht Frankfurt, ka shënuar shumë gola, ka shfaqur cilësi të jashtëzakonshme sulmuese. Dihet që Real Madridit i duhej një “9”, një sulmues. Benzema është një “9” ndryshe, një lojtar që lufton dhe e ndihmon skuadrën, jo vetëm shënon. Jovic duhet të mësojë akoma, është një lojtar i ri dhe te Real Madridi ka shumë presion. Ai ka nevojë për kohë, sepse e dimë që është një sulmues i shkëlqyer”.

Nëse Real Madridi kryeson në La Liga, nuk ka pasur një fillim pozitiv të sezonit në Champions. Zidane është kritikuar, veçanërisht pas humbjes 3-0 në fushën e PSG-së. “Gjithmonë ka kritikë te Real Madridi, një klub gjigant, që luan vetëm për fitore, – shtoi Salgado. – Këtu duhet të përballesh me shumë presion, por unë mendoj se dy rezultatet e fundit e kanë qetësuar ekipin. Zidane meriton të gjithë respektin tonë, sepse fitoi tre Champions radhazi. Diçka që askush nuk e ka arritur në histori. Unë e njoh Real Madridin, kam qenë aty gati për 11 vite. E di se si funksionon dhe është e rëndësishme që trajneri e lojtarët të jenë të qetë në një moment si ky”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit