Lerda “snobon” largimin e Mehmetit, tregon tre rivalët më të fortë

2 Nëntor 2019
12:38
Alfred Lleshi
back button

Partizani do ta luajë nesër, në orën 17:00, ndeshjen e javës së 11-të të Superiores. Në “Selman Stermai”, kampionët e vendit në fuqi do të presin Luftëtarin, një kundërshtar i lehtë në letër, sepse bëhet fjalë për ekstremin e kundërt të renditjes. Për momentin, të kuqtë janë të parët në Superiore. Natyrisht, trajneri Lerda është përballur me pyetje të ndryshme në konferencën e sotme për shtyp, ndër të cilat edhe mbi sherrin e tij me Dritan mehmetin, i cili u spostua te Partizani B, duke bërë rokadën me Kalarin. Ndër të tjera, trajneri italian nënvizoi:

 “Këtë javë kemi punuar në qetësi. Ndryshimet që u bënë nga klubi në stafin teknik u pritën mirë nga të gjithë, puna vazhdon qetësisht. Kalari në vend të Mehmetit? Kam një raport të mirë me ndihmësin tim të ri, pasi kemi bashkëpunuar edhe me parë, kur ishte fjala për lojtarët që luajnë te Partizani B. Kalari është një djalë inteligjent dhe e njeh mirë Partizanin, do të jetë një ndihmë e madhe për mua. Me siguri do të më japë një ndihmë të madhe, pasi e njeh skuadrën dhe ambientin. Besoj se do të merremi vesh mjaft mirë bashkë. 

Largimi i Mehmetit? E thashë, ishte një zgjedhje e drejtuesve të klubit. Kjo ishte zgjedhja më optimale për të mirën e ekipit. Klimë e acaruar te Partizani? Nuk mendoj se janë mediat fajtore për situatën, që shkruajnë përditë mbi ne. Unë nuk i ndjek fare mediat këtu. Informacionet e mia vijnë vetëm nga presidenti dhe drejtori. Nuk kondicionohem nga mediat. Jemi të fokusuar brenda skuadrës dhe nuk mendojmë se çfarë flitet jashtë familjes”.

Pritshmëritë për ndeshjen e nesërme? Duam të bëjmë një paraqitje të mirë, si ndaj Kukësit. Normal, uroj të kemi më shumë fat dhe kualitet në disa momente të lojës, të mos mungojë edhe rezultati pozitiv. Mendoj se jemi në rrugën e duhur, fizikisht dhe psikologjikisht. Duam të vazhdojmë me këtë ecuri. Në ndeshjen e parë me Luftëtarin, shënuam vetëm një gol. Kishim raste, por nuk u treguam të saktë para porte. Nesër duhet të paraqitemi ndryshe në këtë aspect. Mungesa e finalizimit na ka penalizuar pak. Krijojmë raste, prodhojmë lojë, por gabojmë në finalizim, ose në pasimin e fundit ndonjëherë. Duhet t’i zgjidhim ndeshjet sa më shpejt.

Formacioni? Të gjithë kanë pasur mundësi të luajnë. Probleme lëndimesh kishin Kote, Telushi, Solomon. Kjo situatë bëri që të luajnë lojtarë të tjerë. Solomon dhe Kote nuk do të jenë sërish, rikthehet Telushi për ndeshjen me Luftëtarin. A është Partizani kryesues, skuadra më e forte e Superiores? Unë kam besim te skuadra që drejtoj. Paraqitja ndaj Kukësit më ka bërë krenar, ma ka shtuar besimin. Nëse vazhdojmë të luajmë kështu, jemi në rrugën e duhur. Natyrisht, nuk anashkalojmë skuadra si Kukësi dhe Tirana, ashtu edhe Bylisin. Kemi të bëjmë me një kampionat të vështirë.

Rivali më i fortë? I vlerësoj të gjithë maksimalisht, por nuk i druhem asnjë ekipi. Duhet të kemi respekt për veten, para së gjithash, të japim maksimumin. Nëse bëjmë këtë, atëherë rivalët nuk do ta kenë të lehtë. Tri skuadrat që përmenda më lart janë të forta. Bylisi është një surprizë, nuk e di nëse do të vazhdojë kështu deri në fund. Kalendari? Ne i marrim ndeshjet një nga një. Tani po mendojmë për sfidën e nesërme. Çdo gjë përgatitet hap pas hapi. Kjo është metoda ime e punës. Kalendari nuk të jep pikë, t’i jep fusha, ndeshjet. Të shohim çfarë do të ndodhë nesër, më pas mendojmë për ndeshjen tjetër. Na intereson vetëm kundërshtari i radhës, sipas kalendarit”.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit