Lerda sqaron çështjen “Mala”, flet dhe për përjetimet e tërmetit

5 Dhjetor 2019
9:47
Eraldo Harlicaj
back button

Trajneri i Partizanit, Franco Lerda, po stërvit ekipin e tij para ndeshjes kundër Bylisit. Një transfertë shumë e vështirë për “Demat” që duhet të ruajnë kryesimin kundër ballshiotëve në transfertë. Numri një i stolit dha një intervistë për Panorama Sport pas seancës së djeshme stërvitore të zhvilluar në Elbasan. Ai ka folur në lidhje me tërmetin e tmerrshëm që preku vendin tonë, por sqaroi dhe situatën me mesfushorin Esat Mala. 

Tërmeti – “Po jetojmë një situatë të rëndë dhe aspak të thjeshtë, sepse presioni dhe mendja e lojtarëve është tek ata njerëz të shkretë, që vuajtën këtë tërmet të tmerrshëm. Ne si klub dhe si skuadër jemi pranë tyre dhe shpresojmë që kjo situatë të kalojë, në mënyrë që gjendja të kthehet në normalitet. Kur rifilluam stërvitjen kishim shumë vështirësi. Askush nuk ishte mirë dhe askush nuk mendonte për futbollin. Kurrë nuk e kam përjetuar një situatë të tillë. Dhe jo vetëm në aspektin profesional, por edhe atë njerëzor. Në planin personal nuk kisha pasur kurrë aq frikë sa mëngjesin e së martës. Shtëpitë dridheshin, ndaj kisha shumë frikë”.

Shtyrja e kampionatit – “Absolutisht që ishte një vendim i drejtë. Në këto ngjarje të jashtëzakonshme është e drejtë që të ndërpritet edhe kampionati. Jemi dakord me vendimin që u mor nga FSHF”.

Bylisi – “Do të luajmë ndaj një skuadre që është me meritë në vendin e tretë, pasi ka bërë një kampionat mjaft të mirë. E vlerësojmë në maksimum sepse është një ekip i fortë, pavarësisht se vjen pas dy humbjeve. Kjo e bën edhe më të vështirë këtë takim. Megjithatë, ne jemi Partizani dhe shkojmë për të marrë vetëm tri pikët. Derbi? Nuk e mendoj për momentin”.

Mala – “Ai nuk po stërvitet me ekipin për shkak të vendimit të klubit. Nuk mund të them se kur do të aktivizohet, pasi ende klubi mban në fuqi një vendim për të. Nëse klubi do të vendosë që ai të marrë pjesë në stërvitje, atëherë do të aktivizohet”.
Romero – “Fakti që ai po stërvitet normalisht dhe nuk është i shpërqendruar, duke zbatuar udhëzimet që ne japim, nuk më shqetëson. Rëndësi ka që ai të jetë i qetë gjatë stërvitjes dhe të mos ndikohet nga problemet e jetës së tij private”. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit