Lewandowski ndryshon taktikë, por jo qëllimin në raportet me Bayern Munich

24 Qershor 2022
15:24
Alfred Lleshi
back button

Robert Lewandowski është ende me pushime në shtëpinë e tij në Mallorca me familjen, në pritje të ngjarjeve të merkatos, por duket se tashmë e ka kuptuar se vera do të jetë e gjatë dhe se me shumë mundësi, para se të veshë fanellën e Barcelonës, do t’iu bashkohet stërvitjeve me Bayern Munich.

Sulmuesi polak është ende i bindur, dëshiron të largohet nga “Allianz Arena”, e sheh veten si Blaugrana sezonin e ardhshëm, por duke pasur parasysh pozicionin e palëkundur të drejtuesve të klubit bavarez, Lewandowski dhe përfaqësuesit e tij kanë vendosur të ndryshojnë strategjinë. Ata vazhdojnë me të njëjtën ide, por kanë zgjedhur të jenë më diplomatikë.

Nëse Lewandowski zgjodhi që në fillim një politikë përballjeje me Bayernin, bazuar në deklarata të forta, në të cilat siguroi se faza e tij kishte përfunduar dhe se donte të largohej, tani burime pranë lojtarit pranojnë se kjo strategji nuk ka funksionuar.

Qëndrimi i “peshave të rënda” të Bayernit, të udhëhequr nga CEO Oliver Kahn, kryetari Herbert Haines dhe kryetari i nderit Uli Hoeness ka qenë monolit. Të tre, secili në mënyrën e vet, kanë qenë në unison përballë tentativës së largimit të Lewandowskit. Kahn siguroi të mërkurën, në prezantimin e Sadio Mané si lojtar i ri i kampionit gjerman, se Robert e presin më 12 korrik, ditën kur Bayerni do t’iu rikthehet stërvitjeve.

Nga ana e tij, lojtari, i cili ka menduar edhe mundësinë për të mos u paraqitur në grumbullimin e skuadrës, duke u deklaruar në mungesë, nis të hamendësojë se në ato seancat e para parasezonale do të jetë i veshur me të kuqe. Ideja aktualisht është të kërkojë një negocim dhe largim të dakordësuar, diçka që vazhdon të përjashtohet në zyrat e Bayernit edhe sot e kësaj dite.

Aty ku Lewandowski vazhdon të mbetet shumë i fortë është ideja e mospranimit të propozimit të rinovimit që Bayerni i paraqiti muaj më parë. Kontrata e Lewandowskit përfundon këtë sezon, ndaj më 30 qershor 2023 do të ishte i lirë të largohej pa lënë asnjë euro në arkat e Bayernit, diçka që nuk duket se shqetëson aktualisht drejtuesit e skuadrës së Mynihut.

Nga ana e Barcelonës dhe lojtarit konsiderohet më shumë si një taktikë negociuese. Tashmë, Barcelona i ka dërguar Bayernit me ndërmjetësimin e agjentit të lojtarit një ofertë që, në varësi të mënyrës se si llogariten bonuset, do të ishte nga 30 deri në 35 milionë euro.

Kjo shumë nuk është marrë parasysh as nga Bayerni, i cili nga ana e tij sapo ka nënshkruar me Sadio Mané për 32 milionë euro. Ideja që me shitjen e një lojtari që do të largohej falas vitin e ardhshëm, klubi gjerman mund të paguajë nënshkrimin e yllit të tij të ri, krijon shpresë te Barcelona, ​​sado i vështirë të jetë tani për tani Bayerni.

Asgjë e dukshme nuk pritet të ndodhë në ditët në vijim. Lewandowski nga Mallorca dëshiron t’i mbyllë pushimet në paqe dhe ta lërë çështjen të qetësohet dhe t’i rifillojë negociatat me të njëjtën ide, por me një ton tjetër, kur të afrohet koha për t’iu bashkuar Bayernit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit