Lewandowski, sulmuesi “monstruoz”. Gol në çdo ndeshje që nga 15 shkurti

15 Shtator 2021
11:28
Alfred Lleshi

Mbrëmë nga “Camp Nou”, Bayern Munich i dërgoi menjëherë një sinjal të fortë kompeticionit. Ata që duan të marrin në duar trofeun e Ligës së Kampionëve do të duhet të fitojnë betejën me bavarezët, që “bënë shëtitje” në tokën katalanase, kundër një Barcelone në tranzicion total.

Formacioni i udhëhequr nga Julian Nagelsmann dominoi totalisht dhe rezultati final 0-3 ishte fotografia besnike e një nate disnivelesh të mëdha, larg atij 8-2 të bujshëm dy vera më parë. Sidoqoftë, mbeti pasqyrë besnike e dominimit gjerman.

Suksesi i Bayernit u arrit, është e panevojshme të thuhet, nën shenjën e Robert Lewandowski, i cili, në ditën e golave të Cristiano Ronaldos dhe Lukakut, nuk donte të mbetej prapa. Në fakt, sulmuesi polak, përveçse ka përditësuar statistikat e tij monstruoze, ka zgjatur serinë e ndeshjeve të njëpasnjëshme me gola, që e sheh atë t’i tundë rrjetat kundërshtare vazhdimisht, qysh nga 15 shkurti i kaluar.

Që nga ajo ndeshje e Bundesligës kundër Arminia Bielefeld, Leëa nuk është ndalur kurrë së shënuari. Sa herë që ka dalë në fushë me fanellën e Bayernit, ai ka shënuar gjithmonë, për një total prej 29 golash në 18 ndeshjet e fundit. Gjatë kësaj periudhe ka qëndruar pushim një muaj, për shkak lëndimi.

Për të qenë të saktë, polaku ka shënuar 23 gola në Bundesligë, 4 gola në Ligën e Kampionëve dhe 2 gola në Superkupën Gjermane. Numra vërtet tronditës.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit