Lici trazon Vllazninë: Ta dinë mirë të gjithë, nuk jam për kukull këtu!

7 Gusht 2020
10:50
Alfred Lleshi
back button

Suat Lici ka qenë në prezantimin e Matko Djarmatit si drejtor i ri sportiv i Vllaznisë, por në fjalën e tij ka nisur disa “shigjeta”, nuk dihet në drejtim të kujt. Duke parë “shumë Kamberë në një derë”, të gjithë për të marrë vendime, administratori i kuqebluve ka “treguar dhëmbët”: “Nuk ka aspak xhelozi. Nuk qëndroj si kukull këtu. I kam dhënë provat që nuk jam vetëm për të dhënë pagat. Për kukull, le ta bëjë dikush tjetër këtë pozicion”. Sidoqoftë, Lici ka pasur falënderime edhe për Engin Firat dhe Hysen Dedjen:

“Së pari falënderoj Engin Firat, që erdhi në një moment të vështirë. Me punën e tij bëmë një hap për organizimin e sezonit të shkuar. Ecuria jonë ka qenë e mirë deri në tri fazat e para. Më pas ndodhi çfarë ndodhi, qëndruam tre muaj pa stërvitje.

Erdhi Dedja më pas dhe e falënderoj për punën e bërë. Kemi zgjedhur një projekt tjetër dhe i uroj suksese Matkos. Kemi mundësinë të bëjmë zgjedhje më cilësore, edhe me ndihmën e sponsorit. Mund të jemi edhe më korrektë, pasi më parë burokracitë na kanë penguar.

Kemi dëgjuar planin e Matkos dhe gjetëm akordin. Jam optimist dhe besoj se Vllaznia do ketë rezultate të reja dhe objektiv të ri, Kupat e Europës. Uroj dhe shpresoj të jetë një fillim i mbarë.

Analizë për sezonin e kaluar? Është hera e parë në vitet e fundit që kemi marrë 46 pikë. Në periudhën e pandemisë, skuadrat e tjera u stërvitën, iku trajneri, lojtarët nuk u paguan për pesë muaj. Fondi nuk kalonte. Vllaznia ka prodhuar futboll dhe e kemi një bazë të ekipit. Patjetër do ta analizojmë gjithçka. Jemi më në kohë se vitin e shkuar”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit