Ka ulur në stol numrin “10” të Brazilit, por Milani rrezikon ta humbasë me zero euro (VIDEO)

9 Dhjetor 2019
11:56
back button

Milani është rikthyer të fitojë dy ndeshje radhazi pas më shumë se dy muajsh, teksa një nga futbollistët që i ka dhënë më shumë cilësi, teknikë dhe stabilitet mekanizmave të lojës kuqezi është Jack Bonaventura.

Pas kalvarit të gjatë prej 1 viti në infermieri (operimi, rihabilitimi dhe përgatitja), Bonaventura është kthyer ai i përpara dy sezonesh, faktori kryesor kuqezi, aq sa ka ulur në stol Lucas Paqueta, investimi më i shtrenjtë i Milanit (38 milionë euro). Braziliani duhet të reagojë, ndryshe mund të dalë në merkato, pasi nuk është më i domosdoshëm.

Bonaventura ka shënuar këtë kampionat dy gola, duke menduar se sezoni i tij nisi mes pak minutave të alternuara në ndeshje të ndryshme. Tani është në formacion stabël dhe në 3 ndeshje ka shënuar dy gola, duke luajtur si sulmues krahu dhe mesfushor i majtë.

Por, problemi lidhet me të ardhmen. Deri tani, sipas “Sky”, nuk ka asnjë tratativë për rinovimin e tij, pasi kontrata i skadon në qershor të vitit të ardhshëm dhe në janar mund të arrijë akordin me një ekip tjetër.

Bonaventura është 30 vjeç dhe mund të luajë në nivele të tilla edhe të paktën 2-3 vjet, ndaj edhe duhet bërë kujdes pasi humbja e tij me parametra zero do të ishte një mëkat i madh. Bonaventura fiton 2 mln euro në sezon dhe për të rinovuar do të dëshironte të paktën 3 milionë euro.

Raiola, agjenti i tij, ka biseduar me Milanin paraprakisht, por deri tani nuk duket se është gjetur gjuha e përbashkët.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit