Liga Ballkanike, Teuta mposht bullgarët e Beroe dhe hedh kandidaturën për titull

5 Mars 2019
21:00
Telesport
back button

Teuta në basketboll për meshkuj e ka mbyllur me fitoren fazën e grupit në Ligën Ballkanike, duke mundur mbrëmjen e sotme bullgarët e Beroe me rezultatin 87-85 (ndeshja u transmetua nga TELESPORT). Ky është suksesi i tetë sezonal për durrsakët në këtë turne, ku numërojnë edhe 4 humbje. Ekipi i drejtuar nga trajneri Baletic e ka siguruar prej kohësh kualifikimin për në “final four”, ndeshjet e të cilit do të luhen në Tiranë, më datat 6-7 prill.

Teuta – Beroe, 87-85 (23-16, 24-21, 18-15, 22-33)

Takimi i luajtur sot në “Ramazan Njala” të Durrësit është dominuar gjatë gjithë kohës nga basketbollistët e Teutës, që ngjiten në kuotën e 20 pikëve. Kjo ishte humbja e parë në Ligën Ballkanike për ekipin bullgar, që ashtu si Teuta e ka siguruar kualifikimin për në “final four”. Ndaj sfida e sotme ishte si një finale e parakohshme, ku durrsakët dhanë një sinjal të qartë për pretendimet që kanë.

Teuta: Hysenagolli (25), Lasku (18), Gorea (5), Wilson (24), Brown (4), Shestani (11), Hamati, Hoxha, Copes, Shehi, Mirdita, Vilotijevic. Trajner: M.Baletic

Durrsakët vunë diktatin në fushë që në periodën e parë, ku falë një loje të mirë u shkëputën 23-16, diferencë që u thellua gradualisht edhe në periodat e tjera. Pjesa e parë u mbyll 47-37 për Teutën, që e mbështetur edhe nga fansat e shumtë nuk e ul ritmin, por luan mirë dhe dikton në fushë. Në minutat e fundit, durrsakët administrojnë avantazhin edhe pse në fund rrezikojnë disi, duke fituar 87-85 dhe tashmë përgatiten për “final four”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit