Liga i kundërpërgjigjet qeverisë me 4 pyetje, pas 4 kërkesave ultimative. Negociata vetëm me kryeministrin Rama

16 Shtator 2020
12:45
Alfred Lleshi
back button

Dje, Fidel Ylli dhe Anila Denaj, në emër të qeverisë shqiptare mbajtën një konferencë shtypi nga ministria e financave, ku iu përgjigjen pretendimeve të klubeve të Superiores. Natyrisht, sjelljen e Ligës Profesioniste të Futbollit e konsideruan si shantazh, që nuk mund të pranohet, ndërsa për të thanë se nuk ka as seli, ngaqë pas saj qëndron vetë kreu i FSHF-së, Armand Duka. Nuk munguan as akuzat për politizim të futbollit nga ana e këtij të fundit, por reagimi ka ardhur pikërisht sot nga Dritan Kadia. Në pozicionin e sekretarit të përgjithshëm të Ligës, ai i ka bërë 4 pyetje publike Fidel Yllit, duke pritur përgjigje prej tij, si dhe ka përsëritur qëndrimin e presidentëve të klubeve se negociojnë vetëm me kryeministrin Edi Rama, sepse ai e ka vulën e zgjidhjes së kërkesave të tyre:

“I dashur zoti Fidel!

E ndoqa me vëmendje konferencën e shtypit që ju dhe Ministria e Financave, zonja Denaj dhatë dje për mediat.

T’ju them të drejtën prisja një qëndrim më mbështetës për kërkesat e Ligës, të cilat në fakt janë premtime të drejtpërdrejta e të bëra fjalë për fjalë nga Kryeministri përpara 18 muajsh.

Sigurisht që është e drejta juaj të bëni politikë me gjithçka, por komuniteti i futbollit nuk ndihet i nderuar nga kjo prirje. Konferenca e djeshme e shtypit nuk iu dha përgjigje disa pyetjeve:

1) Pse nuk i përmbushni, derisa i konsideroni të drejta kërkesat e Ligës?

2) A janë prej kohësh të njohura për qeverinë kërkesat e Ligës?

3) Përse ministria e financave do të bisedojë me ne, kur ajo dhe qeveria, siç deklaroi edhe dje, janë kundër kërkesave të Ligës?

4) Pse qeveria bën një të ashtuquajtur ligj për sponsorizimet, që nuk e ka asnjë vend europian e ballkanik? Pse nuk miraton një ligj si Maqedonia, Kosova, Hungaria, Gjermania etj. etj., “Ligjin për sponsorizimin”, që propozon Liga?

Unë si sekretar i Ligës mbetem në dispozicionin tuaj për çdo informacion që ju kërkoni. E përsëris edhe një herë ftesën në adresën tuaj, të vini për një takim në selinë e Ligës.

Gjithashtu, ju lutem t’i përcillni Kryeministrit, si i vetmi person që mund të krijojë një vullnet politik të shumicës për zgjidhjen e katër kërkesave, gatishmërinë e përfaqësuesve të tryezës së presidentëve për t’u takuar e biseduar me të.

Me respekt,

Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Profesioniste

Dritan Kadia.

Tiranë, më 16 shtator 2020”

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit