Lika: Nuk më intereson Erzeni-Dinamo, të fitojmë ndeshjen tonë

14 Dhjetor 2018
16:18
Alfred Lleshi
back button

Vllaznia do ta luajë ndeshjen e javës së 13-të të Kategorisë së Parë në shtëpi, ndaj fqinjëve lezhianë. Besëlidhja është pengesa e radhës, që duhet kaluar me sukses nga Hasan Lika dhe të tijtë. Kryesimi i grupit A, me 31 pikë, ndërsa ndjekësi më i afërt, Erzeni, është i dyti me 7 pikë më pak, krijon komoditetin e duhur te kuqeblutë. Megjithatë, nuk ka vend për të “fjetur mbi dafina”. Këtë gjë e nënvizoi edhe trajneri Lika, në konferencën e tij për shtyp, ditën e sotme.

Profesor, me ndonjë gabim të vogël, një ecuri përgjithësisht e mirë e Vllaznisë deri tani, apo jo?
Sigurisht që ne mendojmë të gabojmë sa më pak, por ka vend gjithmonë për të vlerësuar edhe kundërshtarët, sepse edhe ato kërkojnë të marrin maksimumin, jo vetëm karshi nesh, por në çdo ndeshje.

Edhe ndaj Besëlidhjes nesër, objektivi nuk do të ndryshojë, vetëm fitore?
Besëlidhja është një nga 3-4 skuadrat rivale, nëse themi kështu. Jemi përgatitur për një ndeshje të vështirë nesër, por shpresoj ta kalojmë me sukses edhe atë.

Me ndryshimet në pankinë te Besëlidhja duket se tashmë ka më shumë optimizëm tek kjo skuadër. Një arsye më shumë për ta vlerësuar si duhet këtë kundërshtar?
Duket se këto ndryshime kanë ndikuar pozitivisht te kjo skuadër, fitoi në transfertë javën e kaluar me Veleçikun, kështu që jemi të ndërgjegjshëm se do të kemi vështirësi ndaj saj.

Nesër përballen me njëra-tjetrën dy rivalët e Vllaznisë, Erzeni dhe Dinamo. Kjo do të thotë se mund ta keni vëmendjen edhe te rezultati i kësaj sfide?
Ne jemi të përqendruar vetëm te ndeshja jonë. Nuk më intereson çfarë ndodh në Shijak. Futbollistët janë stërvitur në maksimum për ta përballur me sukses ndeshjen e nesërme dhe nuk kemi ndërmend të shohim të tjerët.

A ka ndonjë problem me lojtarët e formacionit?
Ka ndonjë shqetësim të vogël të ndonjë futbollisti, por asgjë serioze.

Do të luani në “Loro Boriçi” por në fakt tifozët nuk është se po e ndjekin shumë Vllazninë. Keni një ftesë për to?
Ne kemi për detyrë t’i thërrasim tifozët me lojëra të bukura dhe me rezultate. Sigurisht, kemi shumë nevojë për to, por jemi të ndërgjegjshëm se duhet të bëjmë shumë më tepër që të na vijnë sa më shumë për të na mbështetur.

Po ofrojnë festat e fundvitit, gjashtë pikët në dy ndeshjet e fundit, a do të jenë dhurata e bukur nga ana juaj për tifozët?
Shpresojmë që t’i përmbushim me sukses edhe këto dy ndeshjet e fundit të këtij viti, në mënyrë që të gjithë së bashku t’i bëjmë një mbyllje të mirë atij.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Standings provided by Sofascore LiveScore

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit