“Limaj dhe Xhika u ndëshkuan pse protestuan për rrogat”; Kukësi e nxjerr dufin me mediat

23 Nëntor 2020
13:34
Alfred Lleshi
back button

Kukësi ka reaguar përmes një deklarate publike kundër zërave mediatikë se “Vesel Limaj dhe Dashamir Xhika nuk e kanë nisur nga minuta e pare ndeshjen e fundit ndaj Teutës për shkak se kanë qenë kryengritësit për rrogat e prapambetura”:

“Marrë shkas nga shkrimet e fundit në media, ku aludohet se klubi i Kukësit ka dënuar dy futbollistët, Dashamir Xhika dhe Vesel Limaj për protestë, e ndiejmë për detyrim të sqarojmë opinionin publik dhe mediat se asgjë nuk është e vërtetë në këtë mes. Kukësi i siguron të gjithë se nuk ka asnjë pakënaqësi mes futbollistëve dhe klubit dhe kërkon nga mediat të jenë më serioze në mënyrën se si i trajtojnë gjërat, të mos aludojnë e shpikin gjëra të paqena. Në çdo ndeshje që Kukësi luan, stafi teknik bën përzgjedhjen e futbollistëve në bazë të stërvitjeve apo formës së futbollistëve. Askush në ekip nuk është i paprekshëm dhe të gjithë luftojnë për të marrë vendin e titullarit.

Në vend që të aludoni për shpifje dhe lajme jo të vërteta, mund të merrni për lajm faktin se në ndeshjen ndaj Teutës, Kukësi ka aktivizuar disa futbollistë të rinj në moshë, që mund të jenë e ardhmja e futbollit shqiptar. Angelo Tafa, Redon Dragoshi, Altin Bytyçi, Zenel Gavazaj janë futbollistë të rinj në moshë, që po iu jepet besim dhe po bëjnë paraqitje dinjitoze. Kërkojmë nga mediat që para se të shkruajnë lajme jo të vërteta, të marrin një informacion pranë zyrës së shtypit dhe të tregohen seriozë në raportime, ashtu siç klubi tregohet serioz me mediat!”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit