Lipi parashikon kampionin e Serie A, zbulon sekretet e Antonio Conte

16 Shtator 2019
11:31
Alfred Lleshi
back button

Marcelo Lippi, ish-trajneri i Juventusit, foli në frekuencat e “Radio 1” gjatë programit “Radio anch’io Sport”. Aty komentoi “derbin italian”, që duket se u ndez shpejt, pas deklaratave të Conte dhe Sarri, në javën e tretë të kampionatit: “Gjithmonë ka qenë këto gjëra. Le të flasim për ngacmime të zakonshme, që fillojnë midis Interit dhe Juventusit. Për mua janë gjëra normale, asgjë e veçantë. Nuk e njoh Maurizio, por për mua nuk ka asnjë problem tani për tani. Ndoshta nuk mendoi se do të gjente një grup kaq të pasur lojtarësh në dispozicion, sa të ketë vështirësi zgjedhjeje”.

Disa fjalë edhe për Conte, të cilin e njeh mjaft mirë edhe si ish-futbollist: “Ky është Antonio që kemi parë. Ai ishte një udhëheqës (motivues i madh) në fushë. Mbaj mend një episod me të, kur ishte futbollist. Antonio u përpoq të driblonte dhe e humbi topin, teksa Zidane e rikuperoi atë. Në fund të lojës erdhi tek unë dhe në mënyrë fantastike më tha: Profesor, çfarë ekipi jemi? Duhej ta rifitoja unë atë top, por e bëri ai. Kjo është filozofia e Conte. Ai e koncepton ekipin si një njësi të vetme, ku secili duhet të jetë i disponueshëm për tjetrin, të bëjë çdo sakrificë”.

Ish-trajneri kampion bote me Italinë flet dhe për të tashmen e përvojën e vet në Kinë: “U përpoqa të kthehem në Itali, por dikush nuk e dëshironte këtë. Trajnimi në Kinë është një përvojë e shkëlqyeshme. Drejtuesit e kombëtares këtu më kërkuan të kthehesha dhe nuk mund të thoja jo”. Një vlerësim për kombëtaren e Roberto Mancini: “Është e rëndësishme të nënvizohet rritja, mbi të gjitha falë të rinjve. Mancini dha një mesazh të rëndësishëm, duke thirrur edhe dikë, që nuk kishte bërë debutimin e tij në kampionat. Ka shumë shenja të mira për Kupën e Botës në Katar. Është e vështirë të zgjedhësh, kur ka vetëm 41% të lojtarëve italianë në Serie A, por ata që janë atje janë të mirë dhe thuajse të gjithë luajnë. Ka shpresë, madje edhe tek ekipet kombëtare të të rinjve”.

Në fund, parashikimi i tij për betejën e titullit në Serie A: “Juventusi do të dalë shkëlqyeshëm. Cilët janë rivalët e tij? 50% Interi, 50% Napoli”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit