Lippi analizon Interin dhe Juven në Champions, ngre “flamurin e bardhë” për vete

22 Tetor 2020
14:50
Alfred Lleshi
back button

Marcello Lippi foli sot për mikrofonat e “Radio Sportiva”. Ish-trajneri i Juves, Interit dhe kombëtares italiane, kampion bote më 2006, preku shumë tema, përfshirë situatën e Paulo Dybala, Ciro Immobile dhe të ardhmen e tij: “Unë e kam mbyllur përfundimisht punën si trajner. Kaq është e mjaftueshme. Ndoshta mund të jem i dobishëm në role të tjera, le të shohim. Por deri në pranverë, asgjë”.

Lippi, më pas foli për ndeshjen e zikaltërve në Ligën e Kampionëve, mbrëmë: “Duke pasur parasysh mungesat, pritej një barazim. Conte duhej ta shpikte repartin mbrojtës. Xhiroja e parë e ndeshjeve në grupe duket e lumtur për ekipet italiane. Të gjithë u sollën mirë dhe pa u ankuar. Në ndeshje ka momente të vështira, veçanërisht në Ligën e Kampionëve, ku është më e lehtë për t’i evidentuar ato. Në Ligën e Kampionëve është e rëndësishme ta keni të gjithë grupin (skuadrën) në dispozicion. Mungesat e Interit ishin një listë e gjatë. Juventusi? Dinamo Kiev është e para në kampionatin e net, por ndaj bardhezinjve luajti me frikë. Ukrainasit, kurrë nuk shkuan pranë golit. Juve luajti një futboll të mirë, pavarësisht mungesës së lojtarëve të vet kryesorë”.

Ish-trajneri i “Zonjës së Vjetër” nga ’94 në ’99 dhe nga 2001 në 2004, vazhdoi: “Për Ligën e Kampionëve nevojiten 3 ose 4 lojtarë të nivelit të lartë. Atalanta duhet të jetë e lumtur, që ka humbur 4-1 në Napoli. Shohim se ishte një rezultat që e ngacmoi atë dhe në fakt u shërua menjëherë”. Në fund, Lippi e mbylli duke folur për ekipin kombëtar: “Italia ka arritur pjekurinë dhe mençurinë e duhur me Mancini. Caputo? Jo vetëm ai, por edhe Sassuolo e De Zerbi janë duke bërë një punë të shkëlqyer. Është kënaqësi ta shoh këtë kombëtare duke luajtur”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit