Lippi solidarizohet me Kinën e prekur nga virusi vrasës: Tronditëse, qytetet plotësisht bosh!

4 Shkurt 2020
12:03
Alfred Lleshi

“Për mua, Kina është një vend i jashtëzakonshëm, një fuqi botërore, së cilës i bashkohem në këtë moment të vështirë të “coronavirusit”. Atje e dinë që Italia është afër tyre. Fakti që një grup shkencëtarësh italianë kanë izoluar virusin është një lajm i bukur, sepse pikërisht në shkencë, rëndësia e bashkimit merr dimensione shumë të larta”. Kjo është ajo që thotë Marcello Lippi në një intervistë, që do të transmetohet sonte, në mbrëmjen e hershme, në “Quarta Repubblica”, emision i politikës dhe ekonomisë, realizuar nga Nicola Porro në “Retequattro”.

Lippi, fitues i Botërorit 2006 me Italinë, gjithashtu, drejtoi kombëtaren kineze, ndaj e përjeton më shumë epideminë vrastare në vendin e madh aziatik, gjë që ka alarmuar tërë botën: “Unë jam në kontakt të përditshëm telefonik me shumë njerëz që kam njohur, me të njëjtin ekip që kam trajnuar. Ata vazhdojnë të stërviten, por kanë ndjenja të pakënaqësisë. Kur shkova atje, pas tridhjetë sekondash ishin treqind vetë që donin një foto me mua. Tani, të shohësh ato qytete plotësisht bosh, është vërtet çarmatosëse. Tetë vite më parë mund t’i shihnit kinezët duke pështyrë edhe në ashensor, jo më në tokë… Sot jo, kanë ndryshuar shumë, janë bërë perëndimorë”.

Kur Presidenti Xi erdhi në Itali, ai u takua me drejtuesin e lartë kinez. Marcello Lippi kujton: “Unë shkova në darkën gala. Kur presidenti erdhi tek unë e më shtrëngoi dorën, të gjithë u befasuan, sepse nuk është pjesë e protokollit që një shef i shtetit të ndalojë të përshëndesë një person, përndryshe të gjithë dëshirojnë ta përshëndesin. Ai erdhi atje, më komplimentoi për punën që bëra. Pastaj më pyeti: A po kthehesh në Kinë? Unë nuk mund t’i thoja jo, u përkula para tij dhe i thashë: Po, po, le ta shohim. Mua më kanë trajtuar shumë mirë në Kinë, më bënë të ndihesha i rëndësishëm, sepse e kuptuan që edhe unë i konsideroja të tillë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit