Lippi tregon si shpërtheu Gattuso ndaj Hollandës: Po ku ka*** doni të shkoni…!

7 Prill 2020
11:13
Alfred Lleshi
back button

Europiani është shtyrë për vitin e ardhshëm. Italia e Mancinit do të ketë një vit tjetër për t’u përgatitur për këtë kompeticion. Në mesin e heronjve të së kaluarës blu, sigurisht ka vendin e nderit Marcello Lippi, i cili sot kujton sukseset e disa viteve më pare, duke treguar një anekdotë të veçantë.

I intervistuar nga “Gazzetta dello Sport”, ish-trajneri zbulon reagimin e Rino Gattuso në tunelin e stadiumit të Amsterdamit para miqësores me Hollandën: “Unë ende mendoj për atë ndeshje në Amsterdam… Hollandezët kishin kohë pa humbur në shtëpi, ndërsa ne shkuam për të fituar 3-1. Në korridoret e stadiumit, duke kaluar midis fotove të Cruijff dhe Neeskens, me gjithë respektin e duhur, Gattuso ulëriste:: Ku ka*** doni të shkoni…”

Dy prova miqësore kundër kundërshtarëve luksozë, dy suksese të qarta, që vërtetuan forcën e asaj Italie, e cila do të bëhej skuadra kampione e botës: “Në mbrëmjen e fitores 4-1 ndaj Gjermanisë, Schumacher erdhi në dhomat e zhveshjes së stadiumit të Firencës për të na uruar. Na u bë shumë qejfin. Po, aty kuptuam se ishim vërtet të fortë. Ne jemi të fortë si popull edhe sot, shpresoj se e njëjta gjë do të ndodhë edhe jashtë futbollit”.

Sipas Lippi, Italia e sotme mund ta përsërisë atë sukses dhe me shtyrjen e Europianit, Mancini do të ketë në dispozicion edhe Zaniolo: “Më vjen keq për shtyrjen e Kampionatit Europian, por Italia është aq e fortë sa do të bëjë shumë mirë edhe në vitin 2021. Dhe shtoj, me pasionin e një gjyshi që mund të ndjekë nipin e tij: Mancini do të rikuperojë lojtarë të rëndësishëm, si Zaniolo. Ndoshta për të, talenti i Romës mund të rezultojë sikurse ishte Totti për ne në Botërorin 2006”.

Ndër protagonistët kryesorë të rrugëtimit të shkëlqyer të vitit 2006 është padyshim Fabio Cannavaro, i cili, sipas Lippi, tashmë është gati të stërvitë në Itali: “Po, ai është i gatshëm. Shumë i gatshëm, madje. Fabio ka mençuri, përvojë dhe di t’i angazhojë njerëzit që punojnë me të. Fitorja e Italisë në vitin 2006? Stili italian nuk do të thotë të luash totalisht në mbrojtje, por rrit cilësitë mbrojtëse të traditës sonë. Askush nuk mund të thotë për ekipin tim kombëtar se ishte mbrojtës. Pothuajse kemi luajtur gjithmonë me tre lojtarë përpara dhe, në gjysmëfinale me Gjermaninë, në kohë shtesë, me katër të tillë. Kemi sulmuar me shpejtësi mbresëlënëse”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit