Liverpool, Tottenham dhe Ajax jashtë Champions-it, mallkimi i (gjysmë)finalistëve

12 Mars 2020
14:41
Alfred Lleshi
back button

Jo vetëm Liverpool, kampioni europian i sezonit 2018-2019, është tashmë jashtë Champions-it, në edicionin aktual, pas humbjes (2-3) në “Anfield”, të mërkurën, në kthimin e 1/8 finale kundër Atlético Madrid (i cili, gjithashtu, fitoi 1-0 në ndeshjen e parë). Finalisti tjetër i këtij kompeticioni në sezonin e kaluar, po ashtu, nuk bëri përjashtim. Tottenham, tani i udhëhequr nga José Mourinho, nuk u kualifikua dot në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. 

Këtij mallkimi të rënies së më të mirëve të sezonit të kaluar nuk i shpëtoi as Ajax. E vetmja gjysmëfinaliste e Champions-it (2018-2019), që akoma mbetet në garë, është Barcelona (në pritje të kthimit kundër Napolit, në mungesë të konfirmimit zyrtar, sepse UEFA e pezulloi sot Champions-in dhe “Europa League”).

Pra, beteja për “kupën veshëgjatë” do të vijojë pa “mbretin” në fuqi, Liverpool. Njëmbëdhjetë muaj më parë, Tottenham (i drejtuar nga Mauricio Pochettino) dhe Ajax zhvilluan një raund gjysmëfinal ëndrrash të Ligës së Kampionëve, në të cilin anglezët siguruan finalen, ku humbën ndaj Liverpool (0-2). Në atë gjysmëfinale të vitit të kaluar, Ajax fitoi (0-1) në fushën e “Spurs”, të cilët përmbysën gjithçka në kthim (2-3), në Amsterdam. 

Tani për tani, pas eliminimit të Tottenham, i trajnuar tashmë nga José Mourinho, të dyja skuadrat janë jashtë Europës. Nëse “Spurs” u eliminuan nga Leipzig në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve (dy humbje, 3-0 dhe 0-1), Ajax nuk e kapërceu fazën e grupeve dhe më pas u eliminua nga Getafe që në 1/16 finale të “Europa League”. Me të vërtetë, një “mallkim” i madh për këto tri skuadra.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit