Lojtarë që arratisen, paga të padhëna, fitore që nuk festohen dhe dallavere: mirësevini në cirkun e Kategorisë së Parë

20 Mars 2019
0:03
back button

Futbolli shqiptar shpenzon miliona, në Superiore, të paktën në letër, sepse gjysma e klubeve janë deri në fyt me borxhe dhe do të duhet një reformë e thellë për të përmirësuar gjërat.

Të paktën në nivelin më të lartë të futbollit tonë fasada është e bukur, transmetimi është shumë cilësor dhe ka lojtarë që janë vërtet të një niveli të pranueshëm, të aftë të luajnë pa probleme në shumë nga kampionatet europiane.

Po më poshtë? Kategoria e Parë është Purgatori, më poshtë është vdekja totale. Vëmendja mediatike thuajse zero, profesionalizmi në nivele komike, ashtu si infrastruktura dhe korrektësia financiare e klubeve. Të shkruash përditë për çudirat e niveleve të ulëta të futbollit tonë është një torturë, ndaj në vijim po evidentojmë disa nga dukuritë më mbresëlënëse të Kategorisë së Parë, aty ku në teori përgatiten lojtarë për Superioren…

ARRATISJE PËR FITORE – Si në një film të vjetër me Pele e shumë futbollistë të transformuar në aktorë, edhe në Shqipëri çdo vit shumë futbollistë arratisen, nga sytë këmbët, drejt Europës së vërtetë, ku mund të jetojnë shumë më mirë se në Shqipëri. Rasti i fundit vjen nga Fushë-Kruja: trajneri Fatmir Sala bëri listën e lojtarëve për në Burrel fundjavën e shkuar dhe… Emanuel Dulo ishte zhdukur pa gjurmë! 

Mbrojtësi titullar, 15 ndeshje këtë sezon, është nisur për në Gjermani. Është 24 vjeç, futbolli në Shqipëri nuk i siguron as ushqimin modest për të përballuar stërvitjen e përditshme, ndaj nuk ishte nevoja të njoftonte ndokënd për largimin. Si thuhet në këto raste: mbarë dhe mos u kthehsh më për hall!

KAMPIONAT PËR QEJF – Skema absurde e shpikur nga Federata Shqiptare e Futbollit ka ulur edhe më shumë nivelin në Kategorinë e Parë. E vërteta e hidhur është se, ashtu si në Superiore, është gafë të pranosh në Kategorinë e Parë më shumë se 10 apo 12 klube, edhe ato me mik. Për interesa të ngushta dhe për të mos ia prishur askujt, FSHF ka hapur dyert për të gjithë dhe shohim një kampionat komik, ku gara përfundon që në janar e shkurt për gjysmat e ekipeve. Shihni grupin e Vllaznisë, aty ku luhet për qejf, apo të Bylisit, ku luhet sa për të parë si do dalin takimet direkte Bylis-Besa.

FITORJA TË LË PA BUKË – Nuk po e themi emrin, sepse do dukemi tendenciozë, por një klub kishte vendosur të mos paguante më asnjë lojtar nëse siguronte 5-shen e parë play-off dhe për pasojë mbijetesën.

Zgjidhja? Lojtarët në ndeshjet e fundit të sezonit të rregullt bënë gjithçka për të mos shkuar në pjesën e sipërme të renditjes. Duke vijuar në play-out me frikën e zbritjes nga kategoria, klubi po i paguan ende. Ngushëllime klubit!

ALEANCA KOMIKE – Federatën e ka zënë hall i madh, sepse klubet fqinje kthehen në dashnorë të flaktë. Sa për ilustrim, Besa e Egnatia këto javët e fundit janë bërë tragjikomikë, me miqësore të telekomanduara. Që të mos ankohet shumë Besa se po i biem në qafë, edhe Bylisi po punon mjaft mirë jashtë fushe, i ka ca miq të mirë.

TRUKIME DHE DHUNË – Për fat, pakkush nga klubet e Kategorisë së Parë e ka marrë vesh që ndeshjet e tyre po kuotohen live në tregun ndërkombëtar të basteve, edhe në fundjavë. Për momentin, mjaftohen me ndonjë dorë para që marrin nga ndonjë klub në hall për pikë, që e di mirë se më futboll të vërtetë mund të bjerë nga kategoria.

Ndërkohë, dhuna nuk mungon kurrë në thuajse çdo fushë, nuk ka se si. Dënime ka pasur plot, edhe amnisti sa të duash. Rekordi i përket Shënkollit, aty gjysma e ekipit ushtrohet për boks, por në kohën e lirë luajnë futboll. Në Pukë, në një ndeshje kundër Veleçikut pa stadium, një arbitër përfundoi në spital. Flitet që rrëshqiti vetë dhe ra mbi një grusht…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit