Longo nuk bën dallime: Kukësi synon maksimumin në kampionat dhe Kupë

2 Nëntor 2021
15:51
Alfred Lleshi
back button

Kukësi po shkëlqen nga java në javë, nën drejtimin e trajnerit italian, Deigo Longo. Nesër, verilindorët do të kërkojnë të hedhin një hap të konsiderueshëm kualifikimi në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë. Kalendari i vendos ata kundër Egnatias, një ndeshje që do të luhet në Peqin. Para mediave, Longo bëri këtë prognozë.

A është kjo, një ndeshje për t’u dhënë pak pushim titullarëve?
Jo, ne nuk mendojmë për këtë, pasi është një ndeshje shumë e rëndësishme. Nga minuta e parë do të luajnë ata që janë në formën më të mirë. Do t’i shoh sot në stërvitje dhe do të vendosim kush do të luajë nesër.

A mund të luajë Kukësi në të dyja frontet, në kampionat dhe Kupë?
Sigurisht. Çdo kompeticion, madje çdo seancë stërvitore është shumë e rëndësishme për ne. Kupa është një trofe dhe do të provojmë ta çojmë në Kukës.

Jeni nga të paktat ekipe që e keni vënë në vështirësi Egnatian në kampionat…
Egnatia është një ekip i vështirë dhe këtë e kam thënë që në fillim. Tani është ndryshe nga fillimi, pasi ka ardhur në formë. Do të na e bëjë më të vështirë edhe fusha, pasi do të luhet në Peqin.

A është problem të stërvitesh në fushë me bar sintetik dhe të luash në një tjetër me bar natyral?
Normalisht që është diçka ndryshe, por kjo nuk përbën një alibi për ne. Stërvitemi këtu dhe mund të luajmë atje. Natyrisht, po të kishim mundësi, do të donim të stërviteshim në një fushë me bar natyral.

Keni thënë se dëshironi një futboll të shpejtë, me presion lart. A i keni arritur këto objektiva?
Jam i lumtur për mënyrën sesi kemi luajtur dhe jemi stërvitur deri tani. Sigurisht që rezultatet janë shumë të rëndësishme. Kemi humbur tri pikë naive; dy ndaj Laçit dhe një ndaj Teutës. Megjithatë, puna ime është të analizoj paraqitjen e skuadrës.

A e reflekton forcën e skuadrave, renditja aktuale? A është Tirana më e fortë?
Në këto momente nuk mendoj për klasifikimin, ai do të shihet vetëm në mars. Megjithatë, Tirana është një ekip shumë i mirë, tradicional, të cilës i peshon edhe fanella, pasi ka fituar 25 herë titullin kampion.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit