Lopetegui: Tri javë e shkatërruan karrierën time te Real Madridi

17 Maj 2019
9:22
Alfred Lleshi
back button

Ish-trajneri i Real Madridit, Julen Lopetegui, pranon se ka mbetur shumë i zhgënjyer nga fundi i shpejtë i mandatit të tij në “Santiago Bernabeu”. Një varg rezultatesh të dobëta me të bardhët, që kulmuan me humbjen e thellë 5-1 të “El Clasico” ndaj Barcelonës, mjaftuan për ta shkarkuar atë pas vetëm 10 ndeshjeve të La Liga-s, në fund të tetorit të kaluar. Në vend të tij erdhi Santiago Solari, por edhe argjentinasi nuk e mbylli dot sezonin, po për të njëjtat arsye. 

Ish-trajneri i Spanjës fajëson rënien e papritur në rezultate të të tijve, si fat të keq, që i dha fund kohës së shkurtër në drejtimin e “Los Blancos”. "Patëm një fillim të shkëlqyeshëm, pasi luajtëm disa ndeshje të mrekullueshme, – shpjegoi Lopetegui për “Voice of Coaches”. – Pastaj përjetuam tri javë të pafat, ku u ndëshkuam nga gola aksidentalë, edhe pse në lojë ishim më të mirë së kundërshtari. Këto gjëra mund të ndodhin me çdo ekip. Ne menduam se kishte ende kohë për t’i rregulluar gjërat. Madje, kishim diçka, që ishte thelbësore: angazhim absolut nga lojtarët dhe një ekip, që kishte shumë për të dhënë".

Po ashtu, Lopetegui vuri në dukje rezultatet e arritura nga kombëtarja spanjolle nën drejtimin e tij, duke garantuar se “La Roja” do të ishte paraqitur më së miri edhe në finalet e “Rusia 2018”, me të në krye: "Kishim kaluar dy vite pa humbje, edhe pse kishim luajtur kundër Gjermanisë, Francës, Belgjikës, Anglisë, Italisë. Ne i patëm dominuar të gjitha këto ndeshje. Pastaj nuk e dimë se çfarë mund të kishte ndodhur në Kupën e Botës, por ishim të gatshëm. Kishim shpresa të mëdha dhe lojtarët ndieheshin të sigurt".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit