Lorik Cana: Jam lacial, nuk bëj dot tifo për Romën. Ja këshilla për Kumbullën…

24 Maj 2022
15:02
Alfred Lleshi
back button

Lorik Cana është ambasadori i “Conference League”, kompeticionit të ri të UEFA-s, për edicionin e parë të tij, që do ta zbulojë fituesin inaugurues në “Arena Kombëtare”, nesër në mbrëmje. I pranishëm në ekspozimin e trofeut në qendër të Tiranës, përpara bustit të Skënderbeut, ish-kapiteni ynë kuqezi foli edhe për finalen.

Natyrisht, ai nuk mund ta mohonte se ishte lacial, ndaj nuk mund të bëjë tifo për Romën, edhe pse në radhët e saj luan një shqiptar, Marash Kumbulla. Derbi mbetet derbi, sidomos ai i kryeqytetit italian, dhe përcillet me tërë antagonizmin e tij te lojtarët aktualë, por edhe tek ish-ët, sikurse është Cana.

Loriku tha se emocioniet janë të mëdha dhe dominon kënaqësia: “Ke kënaqësi kur vendi yt është organizator i këtij kompeticioni. Duam të tregojmë se jemi vend i ngrohtë dhe futbolldashës, që i pret finalistët në mënyrën më të mirë të mundshme. Uroj që ky kompeticion i ri të ketë një nisje me këmbë të mbarë.

A do të doja të isha në fushë? Patjetër, çdo futbollist ka dëshirë të luajë një finale europiane. Unë kam mbërritur deri në çerekfinale, e shihnin si një kompeticion të tretë, por është i jashtëzakonshëm dhe në finale janë dy skuadra të mëdha. U mërzita që nuk kaloj Marseille, sepse do t’i prisja tifozët këtu. Duke qenë lacial nuk bëj dot tifo për Romën, por duke pasur Marashin aty brenda…

Këshillë për Kumbullën? Nuk kam luajtur finale europiane, por finale kam luajtur. Ka qenë finalja e fundit kundër Romës me Lazion dhe kemi fituar. Marash është një djalë me shumë potencial. Ka fatin që shumë herët ka shkuar në një klub të madh dhe nëse do të ketë minuta të luajë me qetësi, do të ketë tifozët e vet. I uroj më të mirën.

Sfida me Romën ndjehet shumë, unë kam qenë para dhjetë viteve në finale kundër tyre me Lazion. Më 26 maj 2013 ishte finalja e Kupës së Italisë. Kam qenë në fushë dhe kemi fituar, duke iu treguar se qyteti është i lacialëve. Shumë prej tyre e kanë për herë të parë në Shqipëri, duhet të flasin mirë për mikpritjen e vendit tonë dhe finalja të kalojë sa më mirë. Le të jetë një pikënisje për Shqipërinë.

Fakti që vijnë dy tifozëri të mëdha tregon rëndësinë e ndeshjes, do të mbetet në histori si finalja e parë e ‘Conference League’. Kemi çfarë të tregojmë dhe krenohemi, shpresojmë që njerëzit të kënaqen”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit