Lot, emocione, përqafime, duartrokitje… Federer luan ndeshjen e lamtumirës: Ky ishte fundi më i bukur i karrierës

24 Shtator 2022
8:46
Gentian Spiri

Roger Federer i dha zyrtarisht fund karrierës së tij. Në turneun e Laver Cup, në lojën dyshe përkrah mikut e rivalit të tij Rafael Nadal, tenisti zviceran luajti ndeshjen e fundit, duke mbyllur një karrierë ku triumfoi kudo dhe fitoi gjithçka.

I konsideruar si tenisti më i madh në histori, Roger Federer nuk i përmabtji dot lotët në më shumë se 7 minuta intervistë përpara publikut londinez, që gjithnjë e ka dashur. Në Londër, aty ku ka shkruar historinë me 8 Wimbledon të fituara në karrierë.

Karriera e mbyll me një humbje në Laver Cup, por kjo s’kishte aspak rëndësi, pasi njerëzit shijuan për herë të fundit një kampion të madh si Roger Federer. Për më tepër, që në krah ai kishte një tjetër kampion si Rafael Nadal.

Ishte një udhëtim fantastik. Nuk e kisha menduar kurrë se do të arrija deri këtu. Kjo është mbyllja më e bukur e karrierës së një sportisti, mes miqsh e fansash, që luajnë në një ekip me mua”, u shpreh ndër të tjera Federer, mes lotësh, duke bërë edhe Nadal të qajë.

Njerëzit që dua të falënderoj janë të shumtë, të panumërt”, tha zvicerani, që i dedikoi gjithçka familjes së tij e veçanërisht bashkëshortes Mirka. “Mund të më kishte ndaluar kohë më parë, por më lejoi të luaja deri sot”, tha Federer.

Ndeshja e fundit e Federer u luajt para 20 mijë shikuesve, por miliona e panë atë anembanë botës. Të shumtë edhe tifozët “vip” në tribuna, që u përlotën e duartrokitën zviceranin. Dhe shokët e skuadrës nuk e lanë vetëm, duke e hedhur në krahë gjatë festimeve.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit